
Maqedonia e Veriut ka siguruar 65.7 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje, njoftoi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Sipas tij, ky rezultat është dëshmi e progresit konkret të arritur në muajt e fundit dhe i reformave të realizuara nga institucionet vendore. “Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Ai është rezultat i punës së koordinuar të institucioneve, i përkushtimit të administratës, i përgjegjësisë politike dhe i vendosmërisë që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të prodhojnë rezultate konkrete për qytetarët. Sot mund të themi me përgjegjësi të plotë se po hyjmë në një fazë të re të funksionimit institucional, ku rezultatet maten me realizim konkret, me efikasitet dhe me kapacitet për të përmbushur obligimet që marrim përsipër”, deklaroi Sali.
Sipas tij, nga shuma e siguruar, 30.6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të kanalizohet drejt projekteve zhvillimore dhe investimeve strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Ministri ritheksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik dhe përkushtim afatgjatë i shtetit. “Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën përgjegjësi dhe dinamikë, sepse besojmë se reformat nuk ndërtojnë vetëm progres në procesin evropian, por edhe institucione më të forta dhe një shtet më funksional për qytetarët tanë”, shtoi ai.
Megjithatë, krahasimi rajonal nxjerr në pah një hendek të dukshëm. Që nga fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka përfituar 213 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut 141.2 milionë euro, një diferencë që, sipas ekspertëve, reflekton dinamikën e ndryshme të reformave të realizuara. Sali e relativizoi këtë krahasim duke u ndalur te specifikat e secilit vend. “Përderisa flasim për krahasime mes shteteve, duhet të flasim edhe për specifikat e secilit shtet, i cili ka pasur bisedime të veçanta me Komisionin Evropian për të përcaktuar pakon e pikave që duhet të plotësojë brenda një periudhe katërvjeçare. Maqedonia e Veriut, edhe në aspekt demografik, edhe në aspekt të PBB-së së përgjithshme, nuk është e njëjtë me Shqipërinë, dhe asnjë shtet tjetër nuk ka marrëveshje identike. Ne i kemi pikat tona dhe specifikat e institucioneve tona, të cilat duhet t’i plotësojmë brenda afatit të caktuar”, theksoi Sali.
Vendit i ka mbetur një kohë shumë e shkurtër për të realizuar agjendën reformuese me dhjetë pikat e kërkuara nga Bashkimi Evropian. I pyetur nëse qeveria rrezikon të mos përmbushë me kohë kërkesat e Unionit, Sali u shpreh i bindur se vendi do të ketë sukses në nëntë prej dhjetë pikave. “Presim që nga dhjetë pika të plotësohen nëntë e gjysmë. Nëse pyesni se çfarë është gjysma, mbetet që një pikë të trajtohet nga ana e Komisionit Evropian si pikë që vërtet ka nevojë për dinamikë më të gjatë, dhe ta vlerësojë angazhimin institucional të qeverisë dhe institucioneve të tjera se jemi në drejtim të plotësimit të asaj pike, por mbetet vlerësimi i tyre se si do ta trajtojnë – si gjysmë pikë apo nuk do ta marrin parasysh”, sqaroi Sali.
Sipas tij, kjo pikë ka të bëjë me subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët, dhe vlerësoi se mosplotësimi i saj është në interes të qytetarëve.
BDI: VENDI HUMB GATI 70 MILIONË EURO PËR MOSREALIZIM TË REFORMAVE
Ndryshe nga toni triumfues i qeverisë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka publikuar një lexim krejtësisht të kundërt të të njëjtave shifra. Sipas BDI-së, fakti që Komisioni Evropian ka miratuar vetëm 65.7 milionë euro, ndërkohë që institucionet kishin për obligim të realizonin reforma me vlerë prej mbi 134 milionë eurosh, nënkupton se shteti ka humbur gati 70 milionë euro mjete potenciale për shkak të mungesës së kapacitetit institucional dhe dështimit në zbatimin e agjendës reformuese.
Më shqetësues, sipas partisë opozitare, është fakti se humbjet më të mëdha janë regjistruar pikërisht në ministritë që duhej të ishin shtyllat e transformimit evropian të vendit. Ministria e Drejtësisë rezulton me mbi 37 milionë euro reforma të parealizuara, ndërsa Ministria e Financave dhe Ministria e Energjetikës me nga mbi 23 milionë euro secila. Pas tyre, sipas BDI-së, renditen Ministria e Arsimit, Ministria e Mjedisit Jetësor, administrata publike dhe sektorë të tjerë kyç. “Aty ku duhej të kishte reforma, ka stagnim. Aty ku duhej të kishte rezultate, ka humbje. Çdo euro e humbur është më pak investim në shkolla, spitale, infrastrukturë, energjetikë dhe në standardin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila akuzon qeverinë se po e izolon vendin përmes paaftësisë dhe propagandës së përditshme, ndërkohë që vendet e rajonit avancojnë dhe sigurojnë mbështetje më të madhe evropiane.
BDI kërkoi llogaridhënie të qartë institucionale: “Kush i dështoi reformat? Kush do të mbajë përgjegjësi për humbjen e këtyre mjeteve? Dhe deri kur qytetarëve do t’u shiten dështimet si ‘suksese historike’? E ardhmja evropiane nuk mbahet me marketing politik. Ajo kërkon punë, seriozitet dhe institucione funksionale”.
LSDM: MBI 200 MILIONË EURO TË HUMBURA NGA “REFORMAT NË LETËR”
Edhe Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, përmes kryetarit Venko Filipçe, ka reaguar ashpër duke vendosur theksin te dimensioni i akumuluar i humbjeve financiare. Sipas LSDM-së, krahas 69 milionë eurove të patërhequra për periudhën qershor 2025 – dhjetor 2025, duhet shtuar edhe rreth 65 milionë euro mjete të patërhequra për shkak të reformave të parealizuara në periudhën paraprake, shumë që e çon humbjen totale, sipas Filipçes, në mbi 200 milionë euro. “Mbi 200 milionë euro të humbura për shkak të ‘reformave’ të Mickoskit, që janë vetëm në fjalë. Edhe 10 ditë deri më 1 qershor, afati që vetë Mickoski e vendosi. Qytetarët po e paguajnë çmimin për gënjeshtrat e tij. Reforma tani. Evropa tani”, deklaroi Filipçe.
VMRO-DPMNE: QËNDRIMET E LSDM-SË KONTRADIKTORE
Nga VMRO-DPMNE, reagimet e opozitës i cilëson si jokoherente dhe kontradiktore. Sipas tyre, LSDM-ja nuk arrin të mbajë një linjë të qartë argumentuese për lidhjen mes lirimit të mjeteve dhe zbatimit të reformave. “Në komunikatën e LSDM-së thuhet se Serbia nuk ka marrë mjete nga BE-ja për Planin e Rritjes sepse, siç thonë, nuk ka zbatuar reforma. Nga ana tjetër, thonë se edhe Maqedonia nuk i zbaton reformat, por janë liruar mjetet më të mëdha nga i gjithë Ballkani Perëndimor, në vlerë prej mbi 66 milionë euro. Tani, LSDM-ja le të merret vesh me vetveten – a janë paratë e liruara nga BE-ja për Maqedoninë në kuadër të Agjendës së Reformave për shkak të zbatimit të reformave, apo për shkak të moszbatimit të tyre?”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
KONTEKSTI DHE AFATET KRITIKE
Debati politik zhvillohet në një moment kyç për procesin e integrimit evropian. Afati i 1 qershorit, i përcaktuar për përmbushjen e dhjetë pikave të agjendës reformuese, mbetet edhe sfida e ardhshme e madhe institucionale. Ndërkohë që qeveria projekton siguri për përmbushjen e “nëntë e gjysmë” pikave, opozita paralajmëron se kostoja financiare e ngecjes së reformave po reflektohet drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit dhe në kapacitetin e tij për investime publike. Vlerësimi përfundimtar i Komisionit Evropian në javët në vijim do të jetë testi më objektiv i të dy narrativave.
