AKTUALE

BDI kërkon hetim për pasurinë e padeklaruar të drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama

Banner

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që të hapë hetim të menjëhershëm për drejtorin e kompanisë shtetërore NOMAGAS, Nedim Rama, duke e akuzuar atë për mosdeklarim të pasurisë dhe për lidhje të dyshimta ndërmjet funksioneve publike dhe interesave private. Në një reagim drejtuar mediave, BDI tha se Nedim Rama, i emëruar në krye të NOMAGAS-it në janar të vitit 2026, ende nuk ka dorëzuar deklaratën për gjendjen pasurore pranë KSHPK-së, edhe pse kanë kaluar më shumë se katër muaj nga marrja e detyrës.

“Për më shumë se katër muaj, Nedim Rama nuk ka dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nuk ka deklaruar asgjë, ndërsa posedon shumë. Kjo është shkelje serioze e detyrimeve për transparencë që i ka çdo funksionar. Kur një drejtor i një kompanie shtetërore për muaj të tërë nuk deklaron pasurinë, hapet dyshimi i bazuar për fshehje interesash, ndikimesh dhe konflikt të mundshëm interesi. KSHPK-ja nuk ka të drejtë të heshtë -duhet menjëherë të hapë lëndë të dytë dhe hetim të plotë për pasurinë e padeklaruar të Nedim Ramës. Sepse tani më ekziston një lëndë, por ende pa epilog”.

Sipas partisë opozitare, mosdeklarimi i pasurisë përbën shkelje serioze të detyrimeve ligjore dhe ngre dyshime për fshehje të mundshme të interesave, ndikimeve apo konflikteve të interesit.

Partia rikujton se në fokus të një lënde tjetër të KSHPK-së ndodhet edhe lounge-bar “1SH”, i menaxhuar përmes kompanisë “Near 2015”, ku si pronarë janë përmendur Nedim Rama dhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri. Sipas BDI-së, kompania ka përfituar pagesa për reprezentacion nga Komuna e Çairit në periudhën kur Zekolli Shaqiri ushtronte funksion publik, ndërsa Rama ishte këshilltar i posaçëm për financa në kabinetin e ministrit të Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti.

“Por skandali nuk përfundon këtu. Objekti hotelierik i lidhur me Nedim Ramën ka marrë para publike shumë kohë para se ai të bëhej këshilltar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Në atë periudhë, Rama ishte sekretar i Komunës së Çairit, në kohën kur komunën e drejtonte Visar Ganiu. Kjo do të thotë se një kompani e lidhur me një funksionar të lartë komunal ka marrë mjete pikërisht nga institucione të afërta me qendrat e pushtetit ku ai vepronte. Për më tepër, kompania ‘Near 2015’ nuk ka qenë vetëm përfituese e mjeteve komunale, por ka marrë edhe ndihmë shtetërore përmes Agjencisë për Punësim, nga ku i është ndarë mbështetje financiare për punësime”.

BDI thotë se opinioni ka të drejtë të dijë nëse institucionet janë përdorur për përfitime private dhe nëse funksionet publike janë shfrytëzuar për avancimin e bizneseve të afërta me pushtetin.

Partia opozitare kërkon që KSHPK të përfundojë procedurat e hapura, të përcaktojë përgjegjësitë eventuale dhe, nëse konstatohet bazë ligjore, të dorëzojë iniciativë për ndjekje penale në Prokurorinë Themelore Publike për rastin që lidhet me Nedim Ramën dhe Kaltrina Zekolli Shaqirin.

“Për më tepër, KSHPK-ja duhet të hapë edhe lëndë për Nedim Ramën për mosdeklarimin e pasurisë së tij. Dhe gjithashtu të nisë veprime konkrete për të hetuar se si, me pagë komunale dhe këshilltari, ka arritur të krijojë pasuri disproporcionale me të ardhurat e tij. Kërkojmë hetim urgjent të pasurisë së Nedim Ramës – drejtësia nuk guxon të ndalet para dyerve të funksionarëve. Nëse funksionarët nuk kanë çfarë të fshehin, atëherë le ta deklarojnë pasurinë e tyre. Institucionet duhet të tregojnë se ligji vlen për të gjithë – edhe për njerëzit më të afërt të pushtetit”.

Banner

Related posts

Mexhiti për REL: “Balancuesi” zëvendësohet me ligj të ri, ndërsa ligji për “branitellat” s’është prioritet! Petrovska: Mickoski të përgjigjet nëse pajtohet me qëndrimin e Mexhitit!

Gjyla Halili

VLEN: BDI në dëshpërim – Ahmeti nga Likova e pranoi se përgatit bojkot të zgjedhjeve!

Gjyla Halili

Agron Dedivanaj uron KF Deçiç: “Kjo arritje monumentale sjell gëzim të madh jo vetëm për Malësinë, por edhe për të gjithë diasporën”

Gjyla Halili