AKTUALE

Shpërthejnë mediat maqedonase, të lumtur për largimin e mundshëm të ambasadorit Meidani

Banner

Disa media në gjuhën maqedonase kanë raportuar për mundësinë që ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, të përfundojë para kohe mandatin e tij diplomatik në Maqedonia e Veriut. Sloboden Peçat, Infomax, Nezavisen, janë ndër mediat që raportuan rreth zhvillimit të fundit diplomatik.

Sipas këtyre raportimeve, ekzistojnë sinjale jozyrtare se Shqipëria mund ta tërheqë ambasadorin nga Shkupi, ndërsa informacionet i referohen burimeve nga Shkupi dhe nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Këto pretendime janë publikuar fillimisht nga media të ndryshme rajonale, përfshirë edhe televizionin “A2 CNN”, duke u mbështetur në burime diplomatike jozyrtare.

Në raportime thuhet se arsyeja e mundshme e një tërheqjeje të tillë lidhet me pakënaqësi të shprehura nga aktorë politikë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë koalicionin VLEN dhe VMRO-DPMNE, të cilët kanë kritikuar qëndrimet publike të ambasadorit në debatet mbi të drejtat e shqiptarëve dhe veçanërisht çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.

Në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, këto zhvillime kanë shkaktuar reagime të ndara. Disa gazetarë dhe figura publike në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut e kanë mbështetur ambasadorin Meidani, duke e vlerësuar angazhimin e tij si më aktiv dhe më të afërt me komunitetin shqiptar. Nga ana tjetër, ka edhe kritika që e konsiderojnë qasjen e tij si jo tërësisht diplomatike dhe të anuar politikisht në debatet e brendshme.

Ndërkohë, gazetari Furkan Saliu ka hapur edhe një peticion publik drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku kërkohet transparencë për çdo vendim të mundshëm dhe ruajtja e përfaqësimit diplomatik aktiv të Shqipërisë në Shkup.

Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një vendim të tillë, ndërsa raportimet mbeten në nivel burimesh jozyrtare dhe interpretime politike. (Gazeta Flaka)

Banner

Related posts

ASHMAA: Nga sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore

Gjyla Halili

Votohet Ligji për Realizimin e Buxhetit për vitin 2025

Gjyla Halili

Shqiptarët në Amerikë në përkrahje të Malësisë, donacion për automjetin multifunksional

Gjyla Halili