
Më datë 18 maj, në Maqedoninë e Veriut pritet të ketë një tjetër protestë nga studentët shqiptarë.
Ata kërkojnë që të japin provimet e tyre në gjuhën amtare, pasi maqedonishtja dhe shqipja janë gjuhë zyrtare.
Në lidhje me këtë problematikë, ka folur në Klan News, ish-ministri i Jashtëm në RMV Bujar Osmani.
“Nëse do bënim një krahasim, do të jepja krahasimin me protestat e studentëve në Kosovë në vitet 80’. Në atë kohë, studentët u ngritën për të drejtat e tyre. Kemi politikë që minon të drejtat e fituara përpara 24 viteve në Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Ohrit ka disa pika, që e kthen konfliktin në bashkëjetesë.
Ka një mendim që Marrëveshja e Ohrit është vetëm në letër tashmë. Kjo marrëveshje po lëndohet gjithmonë e më shumë. Ajo është besëlidhje historike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ku dy popuj me ndërmjetësim ndërkombëtar thonë se do ulemi e do jetojmë bashkë. Rregullat janë barazi e plotë, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, në Kuvend duhet të kemi të drejtë vote etj. Vullneti i shqiptarëve nuk po merret më parasysh. Ka plane maqedonase, që vijnë nga Budapesti e Beogradi që po implementohen. Por në vitet e fundit, janë dy parti që po bëjnë të mundur që planet e Beogradit të bëhen realitet në Shkup. Një parti është VLEN-i, dhe kryeministri Kurti i Kosovës, që për ambiciet e tij ka sakrifikuar popullin shqiptar në RMV.
Pa gjuhë ne nuk kemi asgjë. Prandaj më 18 maj, shqiptarët bëhen një. Më vjen mirë që thirrjet bëhen gjithandej nga bota. Edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbrojë gjuhën shqipe, që të mbrojë një shtet me dy etni kryesore”, tha Osmani.
Më pas, tha se ish-kryeministri hungarez Viktor Orban ka ndihmuar vazhdimisht partinë në pushtet në RMV, VMRO-DPMNE-në, si dhe ka luftuar akitivisht modelin e shteteve multietnike. Kritikoi dhe partivë shqiptare në pushtet.
“Viktor Orban ka financuar partinë në pushtet në Maqedoninë e Veriut, VMRO DPMNE-në, si dhe ka luftuar aktivisht modelin e shteteve multietnike. Ikja e tij nga pushteti e ka dobësuar pak këtë ide, por njerëzit e tij kanë mbetur këtu dhe ata po përpiqen që të vazhdojnë politikat, që bien në kurriz të shqiptarëve. Sa i përket partive politike shqiptare, mua më vjen keq për oponentët tanë politikë, por kjo nuk është më çështje partiake, por kombëtare. Kjo është çështje që ku po sfidohet kombi, e ardhmja e vendit. VLEN është një frymëmarrje artificiale, është në funksion të një agjende historike kundër shqiptarëve këtu. Ta lënë këtë agjendë se nuk ia vlen për asnjë pozicion, që të rrezikohet, ajo për të cilën dikush ka dhënë gjak, për të respektuar popullin tonë siç e meriton”, u shpreh Osmani.
