
Në nivel qendror dhe lokal, koalicioni VLEN po përballet me pikëpyetje serioze mbi fuqinë e tij reale politike dhe ndikimin në vendimmarrje.
Edhe pse ministri Fatmir Limani ka deklaruar publikisht se prej kohësh nuk është më pjesë e VLEN-it, ai vazhdon të mbetet pjesë e qeverisë, duke nxitur debate nëse koalicioni ka kapacitet real për të kërkuar interpelancë apo për të kërkuar largimin e tij nga kabineti qeveritar.
Analistët politikë vlerësojnë se mbështetja e kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj Limanit e bën edhe më të vështirë çdo lëvizje të mundshme të VLEN-it, duke ngritur dilema mbi peshën e këtij koalicioni brenda ekzekutivit dhe aftësinë e tij për të ndikuar në vendime të rëndësishme.
Edhe në planin lokal, situata në Kërçovë mbetet e paqartë. Ndryshimet e paralajmëruara në përbërjen e Këshillit Komunal ende nuk janë materializuar, ndërsa përfaqësimi i Limanit në nivel lokal mbetet i kufizuar me vetëm një këshilltar. Në këtë kontekst, VMRO-DPMNE shihet se ruan pozicione dhe balanca politike, ndërsa VLEN ende nuk ka arritur të konsolidojë ndikim të dukshëm në terren./Tv.Gurra
