
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot figurën e revolucionarit Goce Dellçev, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Përmes një mesazhi publik, Ahmeti vlerësoi se jeta dhe vepra e Dellçevit përbëjnë një shembull që duhet të shërbejë si mësim edhe për klasën politike të ditëve të sotme.
“Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve”, ishte deviza e Dellçevit, të cilën Ahmeti e rikujtoi si një mesazh aktual për bashkëjetesë dhe respekt ndërmjet kombeve.
Duke iu referuar përshkrimeve historike nga biografi i tij, Pejo Javorov, Ahmeti theksoi edhe dimensionin simbolik të figurës së Dellçevit, si një luftëtar me karakter dhe vizion të qartë për të ardhmen.
Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti shprehu nderime për figurën e revolucionarit, duke theksuar se kujtimi për të mbetet i përjetshëm.
Ja postimi plotë:
Si sot më katër maj të vitit 1903 është shuar Goce Dellçevi, revolucionar i njohur, jeta dhe vepra e të cilit do të duhej të ishte mësim edhe për klasën e sotme politike: “Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve” – ishte deviza e tij.
Ndërkaq, biografi i tij më i mirë, Pejo Javorov, duke sjellë foton e mëposhtme të Goces, me plisin e bardhë, e jep këtë përshkrim:
“Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tyrqet e përhimta prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake.”
I përjetshëm kujtimi për Revolucionarin Goce Dellçev!
