AKTUALE

“Energoinvest” / VLEN: BDI mbron projekt që vetë kuadrot e saj kanë kërkuar të ndërpritet

Banner

Koalicioni VLEN ka akuzuar BDI-në se po mbron një projekt energjetik për të cilin, sipas tyre, edhe vetë kuadro të kësaj partie në të kaluarën kanë kërkuar ndërprerje për shkak të mosrealizimit dhe kostove të larta për shtetin.

Në një kumtesë për media, VLEN thekson se projekti me kompaninë “Energoinvest” ka pasur, sipas tyre, realizim minimal ndër vite dhe ka shkaktuar shpenzime të konsiderueshme për buxhetin shtetëror.

“BDI sot mbron një projekt për të cilin edhe drejtorët e saj në MEPSO kanë qenë të mendimit se duhet të ndërpritet. Dikush në BDI sot ka interes të madh të mbrojë një projekt që për pesë vite ka pasur realizim vetëm 4%, ndërsa i ka kushtuar shtetit shuma të mëdha parash”, thuhet në reagim.

VLEN rikujton se, sipas tyre, iniciativat për ndërprerjen e kontratës nuk janë të reja dhe vijnë nga struktura të mëhershme të MEPSO-s, përfshirë edhe kuadro të BDI-së.

“Të rikujtojmë: iniciativa për ndërprerjen e kontratës me ‘Energoinvest’ buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, kur drejtor i sektorit juridik ishte Bilen Saliji, ish-ministër i drejtësisë nga radhët e BDI-së”, thekson VLEN.

Koalicioni përmend gjithashtu edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, i cili, sipas tyre, ka deklaruar publikisht se do ta kishte ndërprerë kontratën.

“Fjalët e tij janë të qarta: nuk ka pasur aktivitete në terren, kontrata ka qenë fikse dhe kompania praktikisht nuk ka funksionuar”, thuhet në kumtesë.

VLEN akuzon më tej se projekti për vite me radhë ka qëndruar i bllokuar, ndërsa në ndërkohë janë krijuar, sipas tyre, kosto shtesë financiare për shtetin, përfshirë interesa kredish.

Sipas tyre, vendimi për ndërprerjen e kontratës është marrë mbi bazë analizash teknike dhe financiare, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare dhe me mbikëqyrje të EBRD-së.

“Vendimi për ndërprerje nuk është politik, por rezultat i një analize të detajuar dhe forenzike, të mbështetur nga USAID dhe në përputhje me rregullat e EBRD-së”, theksojnë nga VLEN.

Në reagim, koalicioni akuzon BDI-në se po tenton të krijojë, siç thonë, panik dhe manipulim me opinionin publik, duke ngritur pyetje për përgjegjësinë e saj në mosrealizimin e projektit ndër vite.

“BDI sot nuk mbron qytetarët, por një sistem që ka lejuar bllokimin e projekteve dhe rritjen e kostove financiare”, thuhet në kumtesë.

VLEN në fund thekson se do të vazhdojë me realizimin e projekteve infrastrukturore, duke shtuar se, siç thonë, “ndryshimi tashmë ka filluar në terren”.

Banner

Related posts

Bujar Osmani: Çairi ka nevojë për vizion e disiplinë pune, jo improvizime e kaos

Gjyla Halili

Gjendja e rrugëve

Gjyla Halili

Aktiviteti i Shoqërisë Kulturore Artistike “Lulet e Malësisë” përmbyllet me takimin e datës 27.12.2024

Gjyla Halili