
Gjuha shqipe po vazhdon të mbetet një shtyllë e rëndësishme e identitetit kombëtar për komunitetin shqiptar në diasporë. Drejtori i shkollës shqipe në Michigan, Agron Dedivanaj, ka vlerësuar lart interesimin dhe përkushtimin e fëmijëve për të mësuar gjuhën amtare.
Sipas tij, gjuha shqipe nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e fortë me historinë, kulturën dhe rrënjët kombëtare. Ai thekson se veçanërisht për fëmijët që rriten larg atdheut, mësimi i gjuhës është thelbësor për ruajtjen e identitetit.
“Gjatë muajve të fundit kemi përjetuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga nxënësit. Ata kanë shprehur dëshirë të sinqertë për të mësuar, për të folur dhe për të shkruar në gjuhën shqipe,” u shpreh Dedivanaj, duke shtuar se kërkesa për fillimin e klasave të rregullta ka qenë e madhe.
Ai nënvizoi se këto reagime janë më shumë se interes – ato janë dëshmi e një ndjenje të fortë përkatësie që mbetet e gjallë pavarësisht distancës.
Drejtori Dedivanaj gjithashtu theksoi rëndësinë e investimit në arsim dhe zhvillimin e brezave të rinj, duke përfshirë jo vetëm mësimin e gjuhës, por edhe aktivitete të tjera edukative dhe sportive që ndihmojnë në formimin e plotë të fëmijëve.
“Një fëmijë i edukuar në gjuhën e tij fiton jo vetëm njohuri, por edhe identitet dhe vetëbesim. Kjo është garancia më e madhe për një të ardhme të qëndrueshme për komunitetin tonë,” përfundoi ai.
Ja postimi i plotë i z. Dedivanaj:
Gjuha shqipe nuk është vetëm një mjet komunikimi – ajo është kujtesë, identitet dhe rrënjë. Për fëmijët shqiptarë, sidomos ata që rriten larg atdheut, mësimi i gjuhës amtare është një urë e fortë që i lidh me historinë, kulturën dhe shpirtin e popullit të tyre. Të flasësh shqip do të thotë të kuptosh veten, të njohësh prejardhjen dhe të mbash gjallë një trashëgimi që është përcjellë ndër breza.
Gjatë këtyre muajve të fundit, në bisedat me nxënësit dhe mësimdhënësit tanë, prej se kemi hapur shkollën e gjuhës shqipe, kemi përjetuar diçka që tejkalon çdo pritshmëri. Fëmijët jo vetëm që kanë treguar interes, por një entuziazëm të jashtëzakonshëm – një dëshirë të sinqertë për të mësuar, për të folur dhe për të shkruar në gjuhën e tyre. Ishte pothuajse e pabesueshme kur i dëgjuam të shprehen me padurim: “Me nxi kemi pritur që të fillojmë klasat e rregullta me plan-program të mësimit në gjuhën shqipe.”
Këto fjalë nuk janë thjesht dëshmi e interesit; ato janë një thirrje e brendshme për përkatësi. Ato tregojnë se, pavarësisht distancës apo realitetit të përditshëm, ndjenja për gjuhën dhe kulturën shqiptare mbetet e gjallë dhe e fortë.
Fëmijët janë e ardhmja jonë. Prandaj, nëse duam që kjo e ardhme të jetë e sigurt, e qëndrueshme dhe e ndritur, duhet të investojmë në ta pa hezitim. Investimi në dije është themeli më i fortë që mund t’u ofrojmë: në shkolla të organizuara e cilësore, në klasa të niveleve të ndryshme, në sporte që zhvillojnë trupin dhe disiplinën, në aktivitete që nxisin kreativitetin dhe bashkëpunimin, si dhe në studime të fushave të ndryshme që hapin horizonte të reja.
Mësimi i gjuhës shqipe është pjesë thelbësore e këtij investimi. Sepse një fëmijë i edukuar në gjuhën e tij nuk fiton vetëm njohuri – ai fiton identitet, vetëbesim dhe një ndjenjë të fortë përkatësie. Dhe një brez i tillë është garancia më e madhe për një të ardhme të fortë dhe të qëndrueshme për të gjithë ne.



