
Mësimdhënësit janë ftuar me njoftim të detyrueshëm nga drejtorët e shkollave që të paraqiten në Komunën e Çairit për një “trajnim për lëndën Gjuhë shqipe”
Vetëm pasi kanë arritur aty, kanë kuptuar se bëhet fjalë për trajnim se si të shkruajnë sipas drejtshkrimit.
Ky fakt e bën skandalin edhe më të rëndë.
Pra, mësimdhënësit e gjuhës shqipe janë thirrur në mënyrë të paqartë, me urdhër administrativ, për t’u vendosur më pas përballë një trajtimi nënçmues, sikur problemi i arsimit në Çair të jetë se profesorët e gjuhës shqipe nuk dinë drejtshkrim.
Kjo është qasje e gabuar në përmbajtje dhe e gabuar në formë.
Në përmbajtje, sepse mësimdhënësit e gjuhës shqipe janë profesionistë të kualifikuar, të diplomuar pikërisht për këtë fushë. Në formë, sepse ngritja profesionale nuk bëhet me thirrje të detyrueshme, me mungesë transparence dhe me improvizime politike.
Në vend që të merren me kushtet në shkolla, mungesat, ngarkesën administrative, tekstet, kabineteve dhe cilësinë e arsimit, dikush ka vendosur të prodhojë spektakël mbi kurrizin e arsimtarëve.
Çfarë mesazhi u jepet nxënësve dhe prindërve kur komuna thërret profesorët e gjuhës shqipe për t’u mësuar drejtshkrimin? Mesazhi është se mësuesi nuk respektohet dhe se problemi kërkohet aty ku nuk është.
Nëse ka programe serioze zhvillimi profesional, ato duhen bërë me partneritet me universitetet, institucionet arsimore dhe ekspertët, jo me improvizime që cenojnë dinjitetin e mësimdhënësve.
Çairi meriton arsim serioz.
Arsimtarët meritojnë respekt.
