I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet të vizitojë Kosovën nesër gjatë ditës së hënë.
Ai pritet që të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu ka konfirmuar për Shqip.com, Përparim Kryeziu- zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.
“Nesër, kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë një drekë punë me emisarin Lajcak”, ka thënë ai.
Por pos me Kurtin, Lajçak pritet të zhvillojë edhe një takim gjatë mbrëmjes me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç njofton shërbimi për bashkëpunim mediatik i presidentit të Serbisë, Vuçiq do të takohet me Lajçakun në ora 19 në “Vila Mir”.
Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.
Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për propozimin e BE-së.
Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Në të njëjtën kohë, Kosovës është duke iu bërë kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mekanizmi ndërkombëtar beson se Kosova e ka marrë këtë obligim në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit dhe duhet zbatuar ato.
Kryeministri Kurti i ka prezantuar, gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, por BE-ja nuk i ka komentuar ato.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.