
Më 24 prill, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, me nderimet më të larta protokolare, priti në kabinetin e tij, në një vizitë zyrtare, Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sh.T. Kemal Ademoviç.
Në fillim të takimit, Reisul Ulema i uroi mirëseardhje z. Ademoviç, duke e falënderuar për vizitën, e cila përbën një shenjë respekti të veçantë dhe një moment të rëndësishëm për Bashkësinë Fetare Islame dhe besimtarët në vend.
Gjatë bisedës, Reisul Ulema e informoi mysafirin për zhvillimet, projektet, strategjitë dhe sfidat me të cilat përballet BFI-ja. Ai theksoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar angazhimin e BFI-së për ruajtjen e harmonisë ndërkomunitare, forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes dhe tolerancës.
Ai theksoi se Bashkësia Fetare Islame është institucioni i vetëm fetar në vend që përfaqëson besimtarët myslimanë nga të gjitha etnitë, duke shtuar se institucioni mbetet i hapur për bashkëpunim në fusha fetare, kulturore, shkencore dhe arsimore.
Në anën tjetër, Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, z. Kemal Ademoviç, falënderoi përzemërsisht për mikpritjen, duke theksuar se ishte i nderuar nga pritja e ngrohtë dhe miqësore.
Ai informoi gjithashtu për gjendjen aktuale në Bosnjë dhe Hercegovinë, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat përballet vendi, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjes së paqes.
Z. Ademoviç shprehu vlerësimin e tij për punën dhe udhëheqjen e BFI-së, duke theksuar se rezultatet e arritura dëshmojnë për një angazhim serioz dhe profesional. Ai falënderoi gjithashtu për përkushtimin në mbështetjen e komunitetit boshnjak në vend.
Në takim mori pjesë edhe Kryetari i Këshillit Nacional Boshnjak dhe njëherit imam i xhamisë Hatunxhik, z. Xhevat Hot.
Në fund të takimit, në shenjë respekti, Reisul Ulema i dhuroi mysafirit një dekoratë modeste, ndërsa z. Ademoviç i dhuroi një dhuratë simbolike në shenjë mirënjohjeje.
Allahu ju bekoftë!

