
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm të mendimit shqiptar.
Në reagimin e tij, Berishaj theksoi se Rexhep Qosja ishte një figurë që nuk heshti kurrë përballë së vërtetës dhe padrejtësive, duke lënë gjurmë të thella në letërsinë, kulturën dhe vetëdijen kombëtare shqiptare.
“Sot humbi një zë që nuk heshti kurrë. Ai e shkroi dhimbjen tonë kur ne nuk guxonim dhe foli kur heshtja ishte më e lehtë,” thuhet në reagimin e ambasadorit.
Ai shtoi se trashëgimia e Akademikut Qosja do të mbetet një udhërrëfyes i çmuar për brezat që vijnë.
Në këto momente zie, ambasadori Berishaj u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë popullit shqiptar.
Pushofsh në paqe të amshuar dhe e paç tokën e lehtë.
Ja postimi plotë:
Sot humbi një zë që nuk heshtte kurrë.
Rexhep Qosja — ai që e shkroi dhimbjen tonë kur ne nuk guxonim, ai që foli kur heshtja ishte më e lehtë, ai që e donte kombin me ashpërsinë e atij që do të vërtetën më shumë se miratimin.
Trashëgimia që lë pas është e pamatshme dhe do të mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë. Dhe edhe kjo ndarje ishte e jotja, pa ceremoni, pa zhurmë, si gjithçka e vërtetë e madhe.
Pushofsh në paqë të amshueme dhe e paç tokën e lehtë🙏
