
Më 21 prill (e martë), në ambientet e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt mbledhja e rregullt e Rijasetit, e kryesuar nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai. Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Rijasetit, si dhe drejtorët e sektorëve përkatës.
Mbledhja nisi me lexim Kur’ani nga vetë Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili më pas përshëndeti të pranishmit, duke falënderuar Allahun Fuqiplotë dhe duke dërguar salavate mbi Muhammedin a.s., si dhe duke shprehur mirënjohje për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre.
Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar, u shqyrtuan pikat e rendit të ditës:
• Raporti financiar i Ramazanit 2026
• Raporti i aktiviteteve të Ramazanit 2026
• Organizimi i Kurbanit 2026
• Çështje të ndryshme
Në fjalën e tij hyrëse, Reisul Ulema paraqiti një përmbledhje të aktiviteteve ndërmjet dy mbledhjeve, duke veçuar organizimin e Samitit të 10-të të Bashkësive Fetare Islame të Ballkanit, takimin me Kryetarin e Presidencës për Çështje Fetare të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Safi Arpagush, si dhe pjesëmarrjen në iftarin zyrtar të organizuar nga Emiri i Katarit, Shejh Temim bin Hamad Al Thani, në Doha.
Ai gjithashtu informoi për projektet në zhvillim, bashkëpunimet institucionale dhe ftesat për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, duke theksuar rolin aktiv të BFI-së në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Raport të detajuar të segmentit financiar të Ramazanit 2026 paraqiti drejtori i financave pranë Rijasetit të BFI-së, Mr. Xhelal Memeti. Bazuar në të dhënat statistikore të paraqitura, u konstatua një rritje e dukshme e Sadakatul Fitrit dhe Zekatit krahasuar me vitin e kaluar. Raporti u vlerësua shumë pozitivisht nga të gjithë anëtarët e Rijasetit, duke u konsideruar si burim frymëzimi dhe përkushtimi për vazhdimin e këtij ritmi të aktivitetit fetar në vend dhe në diasporë.
Sa i përket realizimit praktik të plan-programit të Ramazanit, të prezantuar në fillim të vitit, në emër të komisionit qendror të Rijasetit referoi drejtori i sektorit fetaro-arsimor, Mr. Fejzulla Sadiki. Ai paraqiti në mënyrë të detajuar të gjitha aktivitetet e Bashkësisë Fetare Islame, të realizuara në bashkëpunim me myftinitë e BFI-së, si dhe me institucionet edukativo-arsimore. Këtu përfshihen vizitat në xhami, akademitë shkencore, tribunat fetare, mbrëmjet kur’anore dhe ligjëratat e organizuara nga sektori i gruas pranë Rijasetit të BFI-së.
Këto aktivitete u realizuan falë angazhimit të myftinjve të vendit, mikpritjes së imamëve dhe këshillave të xhamive, si dhe falë përkushtimit të anëtarëve të komisionit qendror. Gjithashtu, në raport u theksua se Komisioni Qendror i Rijasetit, gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ka arritur të vizitojë mbi një të tretën e xhamive të vendit.
Sa i përket vizitave në diasporë, referoi drejtori i Sektorit të Diasporës, Mr. Mafiz Rustemi. Në fjalën e tij, ai paraqiti një rezyme të shkurtër të vizitave të realizuara nga komisionet e Rijasetit, duke theksuar se, në bashkëpunim dhe koordinim me kryetarët e qendrave islame shqiptare në diasporë, janë realizuar vizita të suksesshme në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali, Danimarkë dhe Norvegji. Në fund, ai falënderoi udhëheqësit e këtyre qendrave, si dhe imamët për pritjen e ngrohtë dhe institucionale të delegacionit të Rijasetit.
Marrë parasysh faktin se ndodhemi në vigjilje të festës së Kurban Bajramit, në mbledhje u diskutua edhe organizimi i grumbullimit të kurbanëve për vitin 2026. U theksua se kurbani nuk është thjesht një therje e zakonshme, por një amanet që duhet të realizohet me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë. Për këtë arsye, Rijaseti formoi një komision të posaçëm, i cili do të angazhohet për realizimin sa më të mirë, si në aspektin fetar ashtu edhe atë profesional.
Anëtarët e komisionit janë:
Mr. Fati Azizi, Mr. Hfz. Fejzulla Sadiki, Dr. Fehmi Ebibi, Mr. Xhelal Memeti, Mr. Mafiz Rustemi dhe Driton Dikena.
Në vazhdim, u diskutuan edhe çështje të tjera me rëndësi për organizimin e jetës fetare dhe shoqërore.
Pas përfundimit të pikave të rendit të ditës, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai falënderoi të gjithë të pranishmit, duke u dëshiruar suksese në realizimin e objektivave të sektorëve përkatës.
Allahu ju bekoftë!

