
Sokol Paja
New York, 18 prill 2026 – Shoqata Malësia e Madhe – New York bashkoi bashkatdhetarë, patriotë e aktivistë të çështjes kombëtare për të përkujtuar e nderuar 115 vjetorin e kryengritjes së Malësisë, një ngjarje historike që ka lënë gjurmë pa shlyeshme në historinë kombëtare. Kjo festë nderon me respekt dhe vlerësim kontributin e patriotëve shqiptarë që dhanë gjithçka për lirinë e pavarësinë e Atdheut. Shoqata Malësia e Madhe në New York prej më shumë se tri dekada ka kontribuar thelbësisht në aktivitetet patriotike dhe atdhetare në New York duke bashkuar, udhëhequr e promovuar interesin kombëtar në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me prezantimin e shkëlqyer dhe elegant të Veronika Junçaj e Sakib Beqaj, mbrëmja festive filloi me himnin kombëtare të Republikës së Shqipërisë kënduar nga Gjystina Bojaj dhe himni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911me në krye trimin malësor Dedë Gjo Luli ishte ngjarje e rëndësishme historike dhe me karakter gjithëpërfshirës për interesa dhe të drejta të shqiptarëve.
Kryetari i shoqatës “Malësia e Madhe” z.Senad Lulanaj në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë së Madhe ishte mesazh e frymëzim mbarëkombëtar për Pavarësinë e Shqipërisë. Kryengritja e Malësisë është një amanet për të mbrojtur historinë kombëtare, traditën e gjuhën shqipe, tha ndër të tjera z.Lulanaj.
Folësja kryesore e mbrëmjes ishte Av.Linda Nikaj. Në fjalën e saj u shpreh se sonte festojmë një moment të madh në historinë tonë — Kryengritjen e Malësisë, të udhëhequr nga heroi ynë kombëtar Dedë Gjon Luli. Më 6 prill 1911, ne ngritëm flamurin tonë etnik, flamurin që simbolizon identitetin dhe mbijetesën tonë. Ata që luftuan për ne — nga Dedë Gjon Luli në Deçiq deri tek ata që sakrifikuan gjatë luftës në Kosovë — nuk luftuan që identiteti ynë të zbehej. Ata luftuan që identiteti ynë të qëndrojë — dhe të lulëzojë! Sonte, ndërsa nderojmë kryengritjen e vitit 1911, ne nderojmë jo vetëm qëndresën dhe këmbënguljen, por edhe triumfin, i arritshëm vetëm përmes unitetit, tha ndër të tjera Av. Nikaj. Sipas saj, sonte nderohet momenti kur një krahinë e vogël u ngrit kundër një perandorie të madhe dhe shpalli ekzistencën e saj para botës.
Flamuri i ngritur në atë majë mali u bë shkëndija që çoi drejt pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Ajo e mbylli fjalën e saj me urimin “secili prej jush uroj të arrijë madhështi po aq të qëndrueshme dhe të fuqishme sa malet e Malësisë së Madhe”.
Ansambli Folklorik “Bashkimi Kombëtar” me artistët Vasel Shkreli me lahutë, Tomë Gjergji – këngëtar, Haxhi Zeneli – këngëtar, Sadik Gjokaj me fyell, Gjergj Dedvukaj me recitim përgatitën një performancë me disa rapsodi, melodi, këngë e poezi me instrumente dhe këngë tipike dhe tradicionale kushtuar kryengritjes së Malësisë. Festa vazhdoi deri në orët e vona nën argëtimin brilant të Malësori Prenkoçaj dhe Viki Camaj.









