AKTUALE

Lazim Destani në Samit: Diaspora, forcë e rëndësishme për zhvillimin kombëtar

Banner

Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani, ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, i cili u mbajt në Tiranë nga 13 deri më 15 prill, si dhe aktivitetet shtesë që vijuan deri më 16 prill.
Gjatë këtij samiti, ku morën pjesë përfaqësues të diasporës nga e gjithë bota, u zhvilluan një sërë panelesh diskutimi dhe takimesh me përfaqësues të lartë institucionalë. Në fokus të këtyre diskutimeve ishte roli i diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit dhe përfshirja e saj në hartimin e strategjisë kombëtare 2026–2030.
Në kuadër të angazhimeve të tij, Destani zhvilloi takime me krerë të institucioneve shtetërore dhe politike, përfshirë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtues të institucioneve akademike dhe liderë politikë.
Gjatë panelit të parë me temë “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?”, ai theksoi nevojën që diaspora të ketë përfaqësim të drejtpërdrejtë në parlamentet e vendeve shqiptare. Sipas tij, kjo është një domosdoshmëri për të forcuar demokracinë dhe për të garantuar përfshirje më të gjerë në proceset vendimmarrëse.
Ai nënvizoi gjithashtu potencialin e madh ekonomik dhe intelektual të diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një faktor kyç për zhvillimin dhe integrimin e mëtejshëm të vendeve tona.
Samiti shërbeu gjithashtu si një platformë për diskutime mbi fusha të ndryshme si kultura, arti, sporti dhe ruajtja e gjuhës shqipe, duke forcuar lidhjet mes bashkatdhetarëve në mbarë botën.
Në përfundim, Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për fuqizimin e rolit të diasporës në të ardhmen.

Ja postimi plotë:

Me përkushtim e krenari i mbyllëm punimet e Samitit të IV të Diasporës Shqiptare që u mbajt në Tiranë më 13–15 Prill, si dhe aktivitetet shtesë të Këshillit Koordinues të Diasporës që vazhduan edhe me datë 16 Prill.
Aktivitetet e këtyre ditëve, ku u zhvilluan një sërë panelesh diskutimi e takime, ishin ngjarje ku zëri i diasporës sonë u dëgjua fuqishëm dhe u bë pjesë e diskutimeve për ndërtimin e strategjisë kombëtare 2026 – 2030. Të jesh mes bashkatdhetarëve nga e gjithë bota, të ndash ide, shqetësime dhe vizione — është një ndjenjë që të mbush me shpresë dhe përgjegjësi.
Ndër shumë takime pune me Ministra e Deputetë, si grup i KKD-së, patëm nderin e kënaqësinë të zhvillojmë takime me krerët e institucioneve të larta shtetërore e politike si, me Presidentin e Republikës, Z.Bajram Begaj, me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Z. Ilirjan Celibashi, me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Z. Skënder Gjinushi, me Kryetarin e PD-së, Z. Sali Berisha, e të tjerë.
Në të gjitha aktivitetet dhe takimet, u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare, potenciali i saj ekonomik e intelektual, si dhe mundësitë që diaspora ofron për zhvillimin e trojeve tona.
Në panelin e parë me temë „Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?”, me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm, Hoxha, si dhe politikanëve shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi, në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, ndër të tjera kërkova që diaspora të ketë vende të rezervuara në parlamentet tona. Besoj fuqishëm se diaspora meriton ta ketë zërin e saj aty ku merren vendimet. Kjo nuk është vetëm një çështje përfaqësimi, por një hap i rëndësishëm për ta bërë demokracinë tonë më të plotë dhe më gjithëpërfshirëse. Këtë çështje e diskutuam edhe në takime të veçanta me përfaqësues të lartë institucionalë, dhe me kënaqësi vura re se u prit me interes dhe seriozitet.
Gjatë Samitit, morëm pjesë dhe ndoqëm edhe shumë panele të tjera ku u zhvilluan diskutime për sportin, kulturën, artin, gjuhën shqipe, si dhe takuam e biseduam me mjaft miq nga diaspora jonë në mbarë botën.
Diaspora shqiptare është pjesë rëndësishme e kombit tonë, është forcë që duhet vlerësuar dhe përfshirë gjithnjë e më shumë në të gjitha proceset kombëtare.
Faleminderit të gjithëve për energjinë, përkushtimin dhe kontributin e gjithsecilit!

Banner

Related posts

AUV: Janë kryer 617 kontrolle të jashtëzakonshme para Pashkëve, janë asgjësuar 1740 kilogramë ushqime të pasigurta

Gjyla Halili

Kur do të kërcasin prangat per Belinda Ballukun…!

Gjyla Halili

Bislimovski: Faji për faturat e larta të energjisë elektrike është te EVN

Gjyla Halili