
Nga Harry Bajraktari
Në demokraci, dallimet në pikëpamje janë normale. Por bllokada dhe përçarjet politike në Kosovë po e tejkalojnë çdo kufi.
Historia na mëson një të vërtetë të thjeshtë: edhe kundërshtarët më të ashpër, kur është në pyetje interesi kombëtar, gjejnë mënyra për të punuar së bashku.
Shembullin e fundit e kemi në Shtetet e Bashkuara. Nënpresidenti amerikan JD Vance ka pasur në të kaluarën kritika të forta ndaj Presidentit Donald Trump. Por sot, ata kanë lënë dallimet anash dhe punojnë së bashku në një administratë, për të mirën e vendit.
Ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2008, kur Presidenti Barack Obama dhe Hillary Clinton, pas një gare të ashpër mes tyre, bashkuan forcat në interes të shtetit.
E njëjta frymë mbizotëroi edhe në vitet ’90. Presidenti Bill Clinton dhe Senatori Bob Dole, nga dy parti rivale, bashkuan forcat për çështjen e Kosovës. Falë këtij bashkëpunimi, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur.
Edhe historia jonë kombëtare jep të njëjtin mësim. Marrëdhënia e tensionuar mes Mbretit Zog dhe Faik Konicës nuk i pengoi ata që, kur e kërkoi interesi i shtetit, të bashkëpunojnë.
Udhëheqësit e vërtetë dëshmohen në kohë krizash. Pyetja është: a ka Kosova udhëheqës që janë të gatshëm të tejkalojnë interesat personale apo partiake dhe të vendosin shtetin në radhë të parë?
Të gjithë përfaqësuesit politikë, pa përjashtim, kanë shkëmbyer akuza të rënda. Por sot, për hir të vendit dhe interesit kombëtar, duhet të dalin përtej tyre dhe të bashkëpunojnë.
🇺🇸🇽🇰 Nuk mund ta imagjinoni sa keq shihet Kosova nga jashtë me këtë bllokadë të tejzgjatur. U bë kohë që miqtë tanë në Washington, në çdo bisedë që kemi, na qortojnë duke na thënë se, nëse Kosova, një vend i vogël, nuk po arrin të gjejë marrëveshje brenda vetes, çfarë prisni nga ne?
Rastin e fundit e kisha në takimin me Presidentin Bill Clinton, i cili më pyeti për situatën në Kosovë dhe nëse është zgjidhur kriza politike. Është e vështirë për ne ta shpjegojmë këtë situatë. I kemi duart e lidhura.
Ne duhet t’i tregojmë botës se jemi të aftë ta udhëheqim vendin tonë. Kjo situatë shkon në favor të Serbisë dhe të gjithë atyre që nuk e duan përparimin e Kosovës.
Çdo orë e humbur e dëmton ekonominë, sigurinë dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe integrimit euro-atlantik.
Prandaj, u bëj thirrje të gjithë liderëve politikë:
Uluni.
Bisedoni.
Gjeni zgjidhje.
Bëjeni për Kosovën. Historia i kujton ata që ofrojnë zgjidhje, që e zhvillojnë vendin — jo ata që e bllokojnë 🇦🇱🇽🇰
Mos harroni ku ishim dhe ku mund të jemi, nëse punojmë së bashku.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar 🙏
***
Harry Bajraktari është një personalitet i shquar shqiptaro-amerikan, themelues dhe botues i gazetës “Illyria” në shqip dhe anglisht (1991–1998), si dhe nënkryetar themelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC). Veprimtar i përjetshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, demokratizimin e Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, ai është nderuar me “Urdhrin e Lirisë” nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani (2025), me Medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani (2014), me “Çmimin Presidencial për Shërbim Vullnetar” nga Presidenti amerikan George W. Bush (2006), si dhe me vlerësim nga Kongresi amerikan, me nismën e Kongresmenit Eliot Engel, me rastin e 50-vjetorit të ardhjes së familjes Bajraktari në SHBA si dhe me shumë çmime, medalje e mirënjohje nga organizata të ndryshme dhe nga bashki në Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë.
@followers
