
Rektori i Universitetit të Tetovës e vlerëson rolin e diasporës në kërkimin shkencor dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar
Rektori i Universitetit të Tetovës e vlerëson rolin e diasporës në kërkimin shkencor dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar
Publikuar 16:00 15 Prill, 2026
Në kuadër të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, të mbajtur në Tiranë më 13-15 prill 2026, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, mbajti fjalim me temën “Diaspora dhe kërkimi shkencor”, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe mërgatës shqiptare. Në panelin e gjashtë me temë: “Mësimi digjital dhe standardizimi i gjuhës shqipe në diasporë”, ku foli para audiencës, ai e cilësoi pjesëmarrjen në këtë samit si një privilegj, duke theksuar se ky organizim bashkon personalitete të shquara nga trevat shqiptare dhe diaspora, me fokus të veçantë në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Sipas tij, gjuha shqipe mbetet elementi kryesor i cili bashkon shqiptarët kudo në botë, ndërsa për ruajtjen dhe zhvillimin e saj kërkohet një strategji afatgjatë dhe bashkëpunim institucional.
Rektori i UT-së nënvizoi se Universiteti i Tetovës i kushton rëndësi të veçantë studimit dhe promovimit të gjuhës shqipe përmes programeve studimore, Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë dhe konferencave shkencore, ku përfshihen edhe studiues nga diaspora. Ai përmendi gjithashtu botimin e revistave shkencore dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me shoqatat shqiptare në mërgatë. Në fjalën e tij, e vlerësoi kontributin historik të diasporës shqiptare, duke kujtuar rolin e saj në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kur përmes botimeve në gjuhën shqipe u përhap dija dhe u forcua vetëdija kombëtare. Duke u ndalur te zhvillimet e fundit, theksoi se teknologjia dhe platformat digjitale ofrojnë mundësi të reja për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, përfshirë organizimin e klasave online dhe lidhjen direkte të nxënësve me mësues në trojet shqiptare.
Ai po ashtu nënvizoi domosdoshmërinë e përdorimit të gjuhës standarde në institucionet shtetërore dhe nevojën për unifikimin e teksteve mësimore për diasporën, si një hap i domosdoshëm për sigurimin e cilësisë dhe vazhdimësisë në arsim.
Në përmbyllje, Rektori i Universitetit të Tetovës bëri thirrje për organizim dhe institucionalizim të përpjekjeve gjithëkombëtare në këtë drejtim, duke shprehur gatishmërinë e tij për të kontribuar në realizimin e kësaj nisme dhe në forcimin e lidhjeve me shqiptarët në mbarë botën.
