
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar pas protestës së sotme të studentëve shqiptarë, duke theksuar se respekton të drejtën e qytetarëve për protestë, por duke shprehur shqetësim për, siç thuhet, përpjekjet për manipulim politik. Në një deklaratë zyrtare, ministri Filkov thekson se “e respekton të drejtën për protestë si një nga të drejtat themelore demokratike të çdo qytetari”.
Por, ai e njollos protestën, duke shtuar se “shprehja e lirë e qëndrimeve dhe iniciativave përmes tubimeve publike përbën një segment të rëndësishëm të shoqërisë demokratike dhe kontribuon në avancimin e dialogut publik”.
Madje, ministri vlerëson se protesta e sotme ka treguar edhe elemente shqetësuese.
“Me keqardhje konstatojmë se protesta e sotme edhe një herë tregoi përpjekje për manipulim me qytetarët nga struktura politike të cilat për më shumë se dy dekada kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e gjendjeve të këqija në sistemin gjyqësor”, thuhet në reagim.
Ministri Filkov, siç shkruan, veçon gjithashtu rolin e një partie opozitare, duke ngritur dyshime për instrumentalizim politik të protestave.
“Veçanërisht shqetëson roli i një partie të caktuar opozitare dhe veprimi i saj në kontekstin e protestave aktuale. Këto veprime hapin dyshime për përpjekje për manipulim publik dhe instrumentalizim përmes nxitjes së çështjeve të ndjeshme dhe përdorimit të retorikës etnike për arritjen e qëllimeve afatshkurtra politike”, thekson Filkov në reagim, ndërsa duket se i ka penguar mungesa e flamurit shtetëror të Maqedonisë në protestë.
“Në këtë drejtim, evidente është edhe mungesa e përdorimit të simboleve shtetërore në protestën e sotme, gjë që shton dyshimet për kapacitetin demokratik të organizatorëve dhe raportin e tyre ndaj shtetit dhe rendit kushtetues”, thuhet më tej.
Sa i përket kërkesave për provimin e jurisprudencës, Ministria e Drejtësisë rithekson se ai zhvillohet në përputhje me ligjin, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë provim në gjuhën shqipe.
“Lidhur me kërkesat për dhënien e provimit të Jurisprudencës, Ministria edhe një herë thekson dhe konfirmon se i njëjti zbatohet në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Bëhet fjalë për një provim profesional që nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor”, thuhet në qëndrimin e ministrit të Drejtësisë.
Filkov shton se mbetet i hapur për dialog, por vetëm brenda kompetencave ligjore.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjitha palët e interesuara dhe i shqyrton me kujdes të gjitha iniciativat dhe propozimet, ekskluzivisht në kuadër të kompetencave ligjore. Prioriteti ynë mbetet forcimi i rendit juridik dhe vendosja e një sistemi të drejtë, transparent dhe cilësor të vlerësimit profesional, i liruar nga ndikimet politike”, thuhet në deklaratë.
Në fund, ministri dërgon edhe një mesazh të prerë: “Nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim të Kushtetutës dhe ligjeve”.
