
Lidhja Shqiptare në Botë – Kryesia Qendrore dhe Kuvendi për Maqedoninë e Veriut kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e cila do të zhvillohet më 6 prill 2026 në Shkup, me moton: “Gjuha jonë – e drejta jonë”.
Në komunikatën e tyre publike, organizatat kërkojnë nga Qeveria dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut që të garantojnë ligjërisht përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, në të gjithë territorin e vendit, krahas gjuhës maqedonase. Lidhja Shqiptare në Botë thekson se kjo është një e drejtë natyrore e një kombi, dhe veçanërisht e një kombi autokton.
“Gjuha shqipe është pasuri dhe krenari për shtetin e Maqedonisë së Veriut – një gjuhë e lashtë, mijëravjeçare – dhe në asnjë mënyrë nuk përbën pengesë apo rrezik,” thuhet në komunikatë. Organizata nënvizon se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë minoritet, por përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë, dhe çdo formë sulmi ndaj gjuhës së tyre duhet të ndalet.
Lidhja Shqiptare në Botë shton se shqiptarët do të vazhdojnë të jenë qytetarë lojalë ndaj shtetit të tyre, por nuk do të lejojnë shkeljen e të drejtave të tyre legjitime.
Lidhja Shqiptare në Botë
Kryesia Qendrore & Kuvendi për Maqedoninë e Veriut
Ja postimi i plotë:
KOMUNIKATË PUBLIKE
Në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
me moton: “Gjuha jonë – e drejta jonë”
Lidhja Shqiptare në Botë – Kryesia Qendrore dhe Lidhja Shqiptare në Botë – Kuvendi për Maqedoninë e Veriut, shprehin mbështetjen e plotë për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e cila do të organizohet më 6 prill 2026 në Shkup, me moton “Gjuha jonë – e drejta jonë”.
Njëkohësisht, Lidhja Shqiptare në Botë kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, që të garantojnë me ligj të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, krah gjuhës maqedonase, në të gjithë territorin e vendit. Kjo është një e drejtë natyrore e një kombi, e aq më tepër e një kombi autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjuha shqipe është pasuri dhe krenari për shtetin e Maqedonisë së Veriut – një gjuhë e lashtë, mijëravjeçare – dhe në asnjë mënyrë nuk përbën pengesë apo rrezik që duhet shmangur. Shtrembërimi i së drejtës për përdorimin e saj përbën fyerje dhe shkelje të rëndë të të drejtave të një kombi shtetformues.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë minoritet, por përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së vendit. Prandaj, kërkojmë që të ndalet çdo formë sulmi ndaj gjuhës shqipe. Koha e imponimeve dhe e standardeve të dyfishta ka përfunduar; sot jetojmë në një epokë të demokracisë, barazisë dhe modernizimit.
Maqedonia e Veriut ka dëshmuar vullnet për zgjidhjen e çështjeve me fqinjët përmes marrëveshjeve ndërkombëtare dhe proceseve integruese. Është e papranueshme që, ndërkohë që mbyllen çështje me jashtë, të hapen probleme të panevojshme brenda vendit me shqiptarët – qytetarë të këtij shteti, të cilët asnjëherë nuk kanë kontestuar gjuhën maqedonase, kombin maqedonas apo institucionet shtetërore, por përkundrazi kanë qenë mbështetës të stabilitetit dhe identitetit të shtetit.
Shqiptarët do të vazhdojnë të jenë qytetarë lojalë ndaj shtetit të tyre, por nuk do të lejojnë kurrë nëpërkëmbjen e të drejtave të tyre natyrore dhe legjitime.
Gjuha jonë është e drejtë themelore – dhe si e tillë nuk negociohet.
Lidhja Shqiptare në Botë
Kryesia Qendrore
Lidhja Shqiptare në Botë
Kuvendi për Maqedoninë e Veriut
