AKTUALE

Nikollë Camaj nderon 6 Prillin: Kryengritja e Malësisë, simbol i lirisë

Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka përcjellë një mesazh me rastin e 6 Prillit – Ditës së Kryengritjes së Malësisë, duke e vlerësuar këtë ngjarje si një ndër momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.

Në pamundësi për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga Shoqata Atdhetare “Kulla e Bajraktarit të Hotit” / Muzeu “Malësia”, si dhe nga institucionet lokale në Malësi dhe Bashkia Malësi e Madhe, Camaj shprehu mirënjohjen e tij për ftesën dhe për organizimin e kësaj ngjarjeje përkujtimore.

Ai theksoi se Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 përbën një akt të rëndësishëm të përpjekjeve për liri dhe të drejta kombëtare, e cila kulmoi me ngritjen e flamurit kombëtar në Deçiq, duke forcuar ndërgjegjen kombëtare dhe duke i hapur rrugë proceseve që çuan drejt shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Camaj përgëzoi organizatorët e konferencës shkencore kushtuar kësaj ngjarjeje historike, si dhe përshëndeti referuesit dhe pjesëmarrësit, duke u uruar suksese në zhvillimin e këtij manifestimi me rëndësi të veçantë për Malësinë, për popullin shqiptar dhe për ruajtjen e kujtesës historike.

Në fund, ai shprehu nderimin dhe respektin e tij për këtë përvjetor të rëndësishëm.

Ja postimi plotë:

Sot, Shoqata Atdhetare Kulla e Bajraktarit të Hotit/Muzeu Malësia, feston 6 Prillin, Ditën e Kryengritjes së Malësisë, Ditën e ngritjes së parë të flamurit tonë kombëtar, që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Në këtë aktivitet të kësaj ngjarje kaq të rëndësishme historike isha i ftuar, por për arsye se jam jashtë shtetit për disa ditë në vijim, nuk do të mund të jem i pranishëm, skur as edhe në atë që organizon komuna jonë, e që mbahet mu me 06 prill, si edhe Bashkia Malesia e Madhe.
Si njeri që kurrë se kalova pa shënuar këtë Ditë, që nga 80-vjetori i saj, pra nga viti 1991, përpos urimit dhe falënderimit, nuk mundem të mos shpreh ca fjalë për të, edhe me këtë rast.
Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 përfaqëson një nga ngjarjet më domethënëse në historinë tonë kombëtare. Ajo u zhvillua si një përpjekje e organizuar e prijësve dhe banorëve të Malësisë për të kërkuar të drejta dhe liri, duke kulmuar me ngritjen e flamurit në Deçiq, respektivisht në Bratilë, ku edhe vendosëm monumentin për këtë ngjarje-simbol që forcoi ndërgjegjen kombëtare dhe u dha shtysë proceseve që çuan drejt pavarësisë së shtetit shqiptar.
Prandaj edhe shpreh falënderimin tim të sinqertë për ftesën dhe për organizimin e kësaj konference shkencore kushtuar Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911 – këtij momenti të lavdishëm që mbetet themel i rrugëtimit drejt Pavarësisë Kombëtare.
Përpos organizatorit, përzemërsisht dua të përshëndes edhe referuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke ju uruar suksese në zhvillimin e këtij manifestimi me vlerë të madhe për Malësinë, për popullin shqiptar dhe për kujtesën tonë historike.

Nder dhe respekt për këtë përvjetor të rëndësishëm!

Banner

Related posts

Kopshti për fëmijë në Çair “Fidani” me kulm fotovoltaik, Ganiu: Shum shpejt do të lëshohen dhe në shkollat e tjera

admin

Doganieri lëshoi pa kontroll kalimin e automjetit, që kishte mall në vlerë mbi 11 mijë euro Lajmi në koment

Gjyla Halili

Ali Ahmeti uron për ditëlindje Presidentin Moisiu

Gjyla Halili