
Prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Fati Iseni, ka shprehur mbështetjen e tij për studentët që kërkojnë respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe.
Në një reagim publik, Iseni thekson se RMV-ja është shtet multietnik, ku maqedonasit dhe shqiptarët përbëjnë dy bashkësitë më të mëdha, duke nënvizuar se shteti dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta.
Ai rikujton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetit ndër vite, nga periudha e Republikës së Krushevës, Lufta Antifashiste, deri te ngjarjet e vitit 2001, duke shtuar se këto procese kanë ndikuar në forcimin e lojalitetit ndaj institucioneve.
Sipas tij, përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë elementare dhe përdorimi i gjuhës shqipe nuk e dobëson gjuhën maqedonase, por përkundrazi ndihmon në rritjen e tolerancës dhe kohezionit shoqëror.
Iseni shpreh bindjen se institucionet do të veprojnë mbi baza evroperëndimore dhe nuk do të lejojnë cënimin e të drejtave të fituara përmes keqinterpretimeve apo ndryshimeve ligjore.
Ai bën thirrje për respekt të ndërsjellë dhe vlerësim të diversitetit kulturor, duke kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe stereotipet.
Prof. Iseni gjithashtu njofton se më 6 prill 2026, në ora 12:30, do t’u bashkohet studentëve për të kërkuar drejtësi dhe barazi.
Ja postimi plotë:
Me studentët për “Gjuhën shqipe”
“Summum ius, summa iniuria” (drejtësia më e madhe është padrejtësia më e madhe), thonin romakët.
RMV-ja është shtet multietnik, ndërsa maqedonasit me 54.21% dhe shqiptarët me 29.52% janë dy bashkësitë më të mëdha në vend; rrjedhimisht, ky shtet është i përbashkët dhe bashkë me te edhe hiseja dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta.
Shqiptarët kanë investuar për shtetin që nga Republika e Krushevës, Lufta Antifashiste e deri më sot, përfshirë edhe luftën e vitit 2001, me të cilën përfundimisht u mbyllën, kryesisht, çështjet e hapura në raport me shtetin, dhe kjo reflektoi në lojalitetin e tyre ndaj institucioneve.
Përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë elementare dhe, në rastin konkret, përdorimi i gjuhës shqipe askund nuk e dobëson gjuhën maqedonase; përkundrazi, e përforcon tolerancën dhe krijon kohezion më të balancuar mes bashkësive në këtë nënqiell të përbashkët.
Besoj se establishmenti politik relevant në shtet funksionon mbi bazën e principeve evroperëndimore dhe nuk do të lejojë që të drejtat e fituara të shqiptarëve të krasiten me abrogime apo keqinterpretime të ligjeve të caktuara, të cilat do ta kthenin kohën mbrapsht e, bashkë me të, edhe vetveten dhe vetë shtetin.
Të gjithë ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, duke respektuar edhe vlerat kulturore të të gjitha bashkësive etnike, meqë të gjithë së bashku e sendërtojmë këtë mozaik të bukur.
Jo urrejtjes dhe stereotipeve me koncepte anakronike!
Si profesor dhe, mbi të gjitha, si prind, i përgjigjem thirrjes së sinqertë të studentëve duke i mbështetur fuqimisht në luftën për kauzën e tyre, dhe më 6 prill 2026, ora 12:30, do të jem në mesin e tyre për të kërkuar drejtësi dhe barazi.
Me respekt,
Prof. Fati Iseni
Prorektor për Arsim dhe Çështje Studentore,
Universiteti “Nënë Tereza” Shkup

