
KUMTESË PËR OPINION – BDI Dega Strugë
Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega në Strugë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me shkurtimin e një paraleleje në gjuhën shqipe në Gjimnazin “Ibrahim Temo” në Strugë. Ky vendim cenon drejtpërdrejt të drejtën e nxënësve shqiptarë për arsim në gjuhën amtare.
A po shkon Gjimnazi “Ibrahim Temo” drejt dobësimit apo mbylljes? A po rikthehet Struga në modelin e dikurshëm me një gjimnaz të vetëm për arsimin e mesëm, si “Niko Nestor”? Dhe a është ky një proces i heshtur që synon që brenda katër viteve të shuhet gradualisht “Ibrahim Temo”? Këto janë shqetësime reale që lindin nga vendime të tilla të pakuptueshme dhe të paarsyetuara.
Ne mbështesim optimizimin në arsim, por jo në këtë mënyrë, jo në fillim të procesit dhe jo duke cenuar të drejtën e nxënësve për t’u regjistruar. Kur ka interes të lartë nga nxënësit për drejtimin gjimnaz në gjuhën shqipe, lind pyetja e thjeshtë: ku do të shkojnë ata që mbesin jashtë?
Po aq shqetësues është edhe ndikimi te stafi arsimor. Sa profesorë do të humbin vendet e punës si pasojë e këtij vendimi? A është bërë ndonjë analizë reale për pasojat që ky shkurtim do të ketë në kuadrin arsimor?
Vendimi i Këshillit Komunal të Strugës është i qartë dhe duhet të respektohet. Çdo ndryshim kërkon transparencë, arsyetim të plotë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna reale.
BDI Strugë vlerëson se nuk duhet të ketë shkurtim aty ku ka kërkesë. Nuk duhet të dëmtohet një institucion që ka nevojë për mbështetje dhe zhvillim, e jo për dobësim gradual.
I bëjmë thirrje Komunës së Strugës që të reagojë menjëherë, të respektojë vendimin ekzistues dhe çdo ndryshim eventual ta bëjë pas përfundimit të afatit të regjistrimit, mbi baza reale dhe transparente.
Sepse arsimi nuk është statistikë.
Është e ardhmja e fëmijëve tanë.
