
Ish-zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ecurinë e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8.
Sipas tij, ekzistojnë indikacione se po përgatitet terreni për prishjen e kontratës me konsorciumin Bechtel–Enka, një veprim që, siç paralajmëron ai, mund t’i kushtojë shtetit pagesa të mëdha dëmshpërblimi.
Rexhepi thekson se në terren është vërejtur një ulje e ndjeshme e intensitetit të punimeve, e cila sipas tij kalon mbi 50 për qind.
Kjo situatë, sipas tij, shton dyshimet se po krijohen qëllimisht rrethana për ndërprerjen e kontratës ekzistuese.
Ai gjithashtu shpreh dyshimin se një skenar i tillë mund të çojë në vonesa të reja disa vjeçare dhe rihapje të procedurave, me mundësinë që projekti t’i jepet një kompanie tjetër të huaj.
Sipas Rexhepit, është propozuar edhe pezullimi i punimeve deri në vitin 2027, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në afatet e realizimit të këtij projekti strategjik.
Autoritetet deri më tani nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar lidhur me këto pretendime.
Ja postimi plotë:
Nuk është problem UNESCO, por që Korridori 8 t’i jepet një kompanie tjetër!?
Qeveria po pregaditë teren për prishjen e kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 me Bechtel–Enka, duke rrezikuar pagesë dëmshpërblimi dhe më pas dhënien e projektit një kompanie tjetër të huaj. Për këtë arsye është propozuar që punimet të pezullohen deri në vitin 2027.
Ndërkohë, në terren punimet janë reduktuar mbi 50%, çka shton dyshimet se po krijohet qëllimisht situatë për ndërprerjen e kontratës ekzistuese.
Ky skenar nënkupton vonesa disa vjeçare dhe rihapje të procesit, vetëm që i njëjti aks t’i jepet një kompanie tjetër të huaj.

