
REAGIM
Vendimi i fundit i Ministrit StoiIkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive ngre shqetësime serioze për mënyrën se si po administrohen institucionet publike dhe për standardet e sundimit të ligjit në vend.
Faktet flasin për elemente të qarta të një procesi të kontestueshëm, si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material.
Sipas të dhënave të paraqitura:
– Procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, duke e bërë atë juridikisht të pavlefshme.
– Vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktim të përgjegjësisë individuale.
– Ka indikacione serioze për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve dhe justifikimeve për një vendim tashmë të marrë.
– Masa e shqiptuar, ndërprerja e marrëdhënies së punës,është joproporcionale në raport me pretendimet.
Këto janë indikatorë të një modeli të rrezikshëm të vendimmarrjes.
Kur një ministër merr vendime të tilla:
– pa respektuar afatet ligjore,
– pa prova të qëndrueshme,
– dhe me pasoja ekstreme për qytetarët,
atëherë kemi të bëjmë me me arbitraritet.
Fakti që bëhet fjalë për pesë punonjës shqiptarë e bën këtë çështje edhe më të ndjeshme dhe kërkon transparencë të plotë. Në një ministri që ka për mision marrëdhëniet ndërmjet bashkësive, çdo veprim i tillë duhet të jetë mbi çdo dyshim përanshmërie.
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon:
– Publikimin e plotë të të gjitha procedurave dhe vendimeve që kanë çuar në këto largime.
– Hetim institucional për respektimin e procedurave ligjore në këtë rast.
– Rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve, në përputhje me ligjin dhe standardet e administratës publike.
Institucionet nuk mund të funksionojnë mbi vendime selektive dhe të pambështetura në ligj. Çdo devijim nga procedura krijon pasiguri për çdo punonjës në administratë dhe dëmton besimin e qytetarëve.
Ky rast duhet të trajtohet si test për seriozitetin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj parimit të barazisë dhe ligjshmërisë.
