AKTUALE

Ali Ahmeti në Gllogjan: Lavdi e përjetshme heronjve të UÇK-së

Banner

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 28-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe heronjve të luftës për lirinë e Kosovës.

Në fjalën e tij, Ahmeti theksoi se Gllogjani mbetet një nga simbolet më të fuqishme të qëndresës kombëtare, ku familja Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tyre zgjodhën rrugën e rezistencës përballë forcave serbe.

“Sot përulemi me nderim të thellë në këtë vend të shenjtë të historisë sonë, për të kujtuar një nga momentet më të lavdishme të luftës për liri. Epopeja e Dukagjinit është dëshmi e vendosmërisë për liri dhe dinjitet,” u shpreh Ahmeti.

Ai rikujtoi se ngjarjet e vitit 1998 në Gllogjan, kur u rrethua familja e Ilmi Haradinaj, përfaqësojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të rezistencës së armatosur, ku luftëtarët shqiptarë nuk pranuan kompromis, por qëndruan përballë zgjedhjes mes vdekjes dhe lirisë.

Ahmeti gjithashtu nderoi sakrificën e heronjve që ranë në etapa të ndryshme të luftës, duke përmendur edhe rënien heroike të Luan Haradinajt në vitin 1997, si dhe kontributin e shumë luftëtarëve të tjerë që më vonë u bënë pjesë e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sakrifica e tyre nuk ishte vetëm për çlirimin e një territori, por për dinjitetin dhe të ardhmen e një populli të tërë. Ne kemi obligim që amanetin e tyre ta ruajmë, lirinë ta forcojmë dhe të ndërtojmë një të ardhme mbi vlerat për të cilat ata ranë,” theksoi ai.

Ceremonia përfundoi me homazhe në kompleksin memorial në Gllogjan, ku prehen dëshmorët e Dukagjinit.

Banner

Related posts

U nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Aleancës Kombëtare për Integrim dhe Partisë Demokratike Turke – TDP, dega e Vrapçishtit

Gjyla Halili

SIRIA NJEH SHTETIN E  KOSOVËS

Gjyla Halili

EDITORIAL/ Hallet opozitare: Pengon puna, e jo guna!

admin