
Pavarësisht kritereve të reja dhe më të rrepta ligjore, shumica parlamentare po tenton të zgjedhë për anëtar të Këshillit Gjyqësor një kandidat i cili nuk i plotëson kushtet e parapara me ligj.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 29 dhjetor 2025, miratoi Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, i cili vendos standarde më të larta për integritetin, transparencën dhe përgjegjësinë e anëtarëve të këtij institucioni kyç për sistemin e drejtësisë. Sipas këtij ligji, anëtar i Këshillit mund të zgjidhet vetëm një person me integritet të lartë profesional dhe me reputacion të pakontestueshëm në fushën juridike.
Megjithatë, në kundërshtim me këto dispozita, shumica po avancon një kandidat i cili në të kaluarën është shkarkuar nga funksioni i gjyqtarit. Ligji është i qartë: në përputhje me nenin 12, paragrafi 5, anëtar i Këshillit Gjyqësor nuk mund të zgjidhet një person i cili është shkarkuar nga detyra e gjyqtarit ose prokurorit publik, përveç në rastet kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar shkelje gjatë procedurës së shkarkimit.
Sipas të dhënave zyrtare, në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë” nr. 7, të datës 20 janar 2010, është publikuar vendimi për ndërprerjen e funksionit gjyqësor të Sejfulla Osmanit, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gostivar. Ky vendim bazohet në aktin e Këshillit Gjyqësor nr. 07-12/32, të datës 02.12.2009, me të cilin ai është shkarkuar për ushtrim joprofesional dhe të pandërgjegjshëm të detyrës. Vendimi është evidentuar edhe me numër 07-82/1, të datës 18 janar 2010.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e ligjit dhe standardeve të vendosura nga vetë Kuvendi, duke rrezikuar të minojë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe në procesin e reformave në sistemin gjyqësor.


