
Kryetari i degës së Bashkimi Demokratik për Integrim në Tetova, Bajram Rexhepi, ka reaguar publikisht lidhur me 100 ditët e para të mandatit të dytë të udhëheqjes aktuale komunale, duke i cilësuar ato si “një bilanc zhgënjyes dhe alarm për qytetin”.
Sipas Rexhepit, periudha 100-ditore është e mjaftueshme për të reflektuar vizion, seriozitet dhe drejtim të qartë qeverisës, elemente që, sipas tij, mungojnë në menaxhimin aktual të komunës.
“Qytetarët e Tetovës sot përballen me kaos të vazhdueshëm në komunikacion, semaforë jofunksionalë, mungesë të parkingjeve dhe mungesë të një plani konkret për zgjidhjen e problemit të trafikut. Po ashtu, po vazhdon betonizimi i pakontrolluar dhe mungesa e planeve urbanistike që i shërbejnë interesit publik,” deklaroi Rexhepi.
Ai theksoi se shumë projekte të nisura janë lënë përgjysmë pas përfundimit të proceseve zgjedhore, ndërsa ngriti shqetësim edhe për, siç tha ai, mungesën e sigurisë në shkolla, mungesën e koordinimit institucional dhe problemin serioz me qentë endacakë, për të cilin sipas tij nuk ekziston strategji afatgjate dhe transparente.
Rexhepi kritikoi gjithashtu mungesën e raportimit dhe llogaridhënies për këto 100 ditë, duke theksuar se qyteti ka nevojë urgjente për plan zhvillimor ekonomik, rend, siguri dhe projekte të përfunduara që vihen realisht në shërbim të qytetarëve.
“Mandati i dytë duhej të ishte mandat përgjegjësie dhe stabiliteti. Në vend të kësaj, po shohim stagnim dhe improvizime. Koha e llogaridhënies ka filluar,” përfundoi kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi.
