
Prishtinë, 15 shkurt 2026 – Shoqëria LËVIZJA ka publikuar një deklaratë politike përmes së cilës shpreh kundërshtimin e saj ndaj veprimtarisë së Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si institucione me karakter politik dhe të dëmshme për, siç thuhet, luftën çlirimtare të popullit shqiptar.
Në reagim, Shoqëria LËVIZJA shpreh shqetësim për kërkesën përfundimtare të prokurorit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, duke e cilësuar procesin si përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Shoqëria kritikon gjithashtu mënyrën e themelimit të Dhomave të Specializuara, të cilat u krijuan me ligj të veçantë nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, pas një rezolute të Këshilli i Evropës. Sipas deklaratës, argumenti fillestar për krijimin e kësaj gjykate, që lidhej me pretendimet për trafikim organesh, konsiderohet i pabazë.
Në deklaratë parashtrohen disa kërkesa konkrete:
Angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për të lobuar për shfuqizimin e rezolutës së Këshillit të Evropës dhe për ndërprerjen e financimit të Dhomave të Specializuara.
Hapjen e një debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës për rishikimin e ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese që mundësuan themelimin e kësaj gjykate.
Angazhim më të madh institucional në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së dhe interesave shtetërore.
Shpalljen e pafajësisë për të akuzuarit dhe, siç thuhet në deklaratë, kërkimfalje për periudhën e paraburgimit.
Shoqëria LËVIZJA bën thirrje për unitet politik dhe institucional në Kosovë dhe Shqipëri, duke theksuar nevojën për një platformë të përbashkët përballë zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Deklarata mban datën 15 shkurt 2026 dhe është nënshkruar nga Kryesia e Shoqërisë LËVIZJA.
Ja postimi plotë:
DEKLARATË POLITIKE e Shoqërisë LËVIZJA kundër padrejtësisë së Dhomave të Specializuara
Anëtarët dhe miqtë e shumtë të Shoqërisë LËVIZJA, brenda dhe jashtë Atdheut, janë të shqetësuar dhe të indinjuar me kursin antishqiptar që po ndjekin Dhomat e Specializuara që nga themelimi i tyre. Kërkesa përfundimtare e prokurorit special për dënimin e Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit shpërfaq edhe njëherë karakterin dhe qëllimin tërësisht politik, antihistorik, anticivilizues dhe antinjerëzor të Dhomave të Specializuara, të krijuara dhe të mandatuara me ligjin nr. 05/L035, që ishte votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në gusht të vitit 2015!!
Në themel të kërkesës për t’i dënuar disa nga drejtuesit e Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare është qëllimi për ta barazuar luftën e drejtë dhe legjitime të popullit shqiptar për liri, krenari, pavarësi e bashkim kombëtar me krimet dhe gjenocidin e Serbisë pushtuese, që angazhohejë dhe luftonte me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat dhe me të gjitha llojet e armëve për vrasjen, dëbimin dhe shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë.
Shoqëria LËVIZJA, si i gjithë populli shqiptar, ka ndjekur me shqetësim procesin e krijimit dhe veprimtarinë e Dhomave te Specializuara, – qëllimet e tyre për ta shtrembëruar dhe “kriminalizuar” ndërmarrjen e përbashkët çlirimtare të kombit shqiptar dhe luftën e tij për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nga pushtuesit jugoserbë.
Prandaj:
1. Kërkojmë që Qeveria, Kuvendi, trupi diplomatik, presidenca dhe institucionet tjera të “specializuara” të Republikës, në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me shtetin tonë AMË dhe me institucionet e tij, të angazhohen e të bëjnë fushatë (të lobojnë) për shfuqizimin e Rezolutës së Këshillit të Evropës, e cila shërbeu për të inicuar krijimin e dhomave të specializuara (Gjykatën Speciale) dhe ndalimin e financimit të tyre. Argumenti themeltar për krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara: “trafikimi me organe të qenieve njerëzore”, është rrëzuar dhe u provua se ishte inekzistent.
2. Kërkojmë nga partitë politike parlamentare që të hapet debat parlamentar (pikë e veçantë) për Dhomat e Specializuara (të themeluara nga ky Kuvend!!) si dhe për rishikimin e ligjit, me të cilin u krijuan ato dhe të Kushtetutës, e cila u ndryshua për t’u bërë vend këtyre Dhomave të Specializuara!!
3. Për dallim nga Deklarata e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (shtetit tonë AMË), Rezoluta e miratuar këto ditë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është pa kërkesë, pa objekt dhe nuk i angazhon me asgjë institucionet tjera të Republikës për t’u vënë në mbrojtje të të akuzuarve, nuk i angazhon për rishikimin e ligjit nr 05/L035 dhe të kushtetutës, që mundësuan themelimin e Dhomave të Specializuara, etj.. Përkundrazi, Rezoluta rikonfirmon mbështetjen dhe besnikërinë për respektimin dhe zbatimin e Ligjit dhe të ndryshimeve kushtetuese që i dhanë pushtet absolut Dhomave të Specializuara mbi sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe mbi vetë Republikën!!
4. Shoqëria LËVIZJA dhe shqiptarët pa dallim kërkojnë që partitë politike shqiptare dhe institucionet shtetërore të angazhohen për unitet dhe kohezion politik, social e institucional në përfaqësimin, afirmimin dhe mbrojtjen e vlerave të Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK – së dhe të interesave publike (shtetërore) e kombëtare shqiptare.
5. Shoqëria LËVIZJA kërkon që Dhomat e Specializuara (trupi gjykues) t’i shpallin të pafajshëm: Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin dhe gjithë të dënuarit tjerë si dhe t’u kërkojë falje për shkeljen brutale të lirive dhe të drejtave të tyre gjatë këtyre më shumë se pesë viteve. Falje publike do të duhejë të kërkonin edhe deputetët që ngritën dorën, me vullnetin e tyre, për krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara, me çka i shkaktuan dëm të pallogaritshëm imazhit të Luftës së UÇK – së dhe të kombit shqiptar në botë.
6. Shoqëria LËVIZJA mendon se barra dhe përgjegjësia historike për ta ndalur këtë padrejtësi të pashembulltë dhe këtë tendencë për ta deformuar përpjekjen, luftën dhe sakrificën e madhe të UÇK -së e të kombit shqiptar për liri, krenari, emancipim, demokratizim e pavarësi – shkëputje të Kosovës shqiptare nga pushtuesi, nga njëra anë, dhe tendencën për ta barazuar Luftën tonë Çlirimtare me krimin dhe gjenocidin që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë, në anën tjetër, bie mbi institucionet e Tiranës, mbi ato të Prishtinës dhe mbi çdo parti a shoqatë politike e jopolitike në gjithë gjeografinë shqiptare dhe kudo në botë.
7. Shoqëria LËVIZJA mendon se, në kohën që “rendi i vjetër botëror” po deklarohet i paqenë, kurse “rendi i ri botëror” akoma nuk është krijuar, kombi shqiptar dhe institucionet e tij shtetërore duhet të kenë platformë e politika të matura, të studiuara dhe përbashkuese përballë sfidave të një kohe të mbarsur me konflikte dhe me rreziqe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon e në botë. Mbrojtja, konsolodimi dhe afirmimi i fitoreve historike të arritura me Luftën Çlirimtare të UÇK – së e të kombit tonë është detyrë mbi çdo detyrë tjetër, është kusht sine que non për jetësimin e BETIMIT të luftëtarit të UÇK -së dhe të vullnetit të kombit shqiptar.
Prishtinë, më 15 shkurt 2026. Kryesia e Shoqërisë LËVIZJA
