
Sot kryeministri Mickoski konfirmoi se gjuha shqipe është zyrtare për dhënien e provimit të jurisprudencës, një vendim që bie ndesh me deklaratat e mëparshme të krerëve të VLEN-it dhe Ministrit të Drejtësisë Igor Filkov se gjuha shqipe nuk është zyrtare.
Analisti Sefer Selimi ka reaguar duke kërkuar shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë, Filkov. Ai shprehet se dje zv.kryeministri Sali dhe sot kryeministri Mickoski konkluduan se ministri Filkov ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke pamundësuar studentët të japin provimin edhe në gjuhën shqipe.
“Defakto, dje zv.kryeministri Sali dhe sot kryeministri Mickoski konkluduan që Ministri Filkov ka shkelur Kushtetutën (B. Sali) dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve (H. Mickoski) me pamundësimin dhe refuzimin ndaj studentëve që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Duhet të pasojë iniciativë për shkarkim,” ka shkruar Sefer Selimi.
Selimi gjithashtu përgëzoi studentët për këmbënguljen e tyre.
“Përgëzimet më të sinqerta studentëve që me këmbëngulje insistuan për të drejtën që u takon me Kushtetutë dhe ligj! U shtofshin iniciativat e këtilla.” thotë në fund Selimi.
