Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi një takim me Mihalis Rokas, Ambasador i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilin u diskutua për progresin në harmonizimin me politikat evropiane për mjedisin dhe klimën, si dhe për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë takimit, ministri Hoxha theksoi se Maqedonia e Veriut po ndërmerr përpjekje të konsiderueshme për harmonizimin e legjislacionit dhe sistemeve institucionale me të drejtën dhe politikat e Bashkimit Evropian, përmes aktiviteteve intensive ligjore, forcimit të kapaciteteve administrative dhe realizimit të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe teknologji të reja.
Theks i veçantë iu kushtua Kapitullit 27-Mjedisi Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike, i cili përfaqëson një nga kapitujt kyç me ndikimin më të madh financiar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Ministri theksoi se zbatimi i suksesshëm i obligimeve nuk është i mundur pa mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, i cili përmes programeve IPA, Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor dhe Planit të Rritjes, mbetet partner kyç i vendit.
Bashkimi Evropian është donatori më i madh dhe aleati më i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut në avancimin e standardeve evropiane për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Fokusi i reformave mbetet i orientuar drejt menaxhimit të ujërave, menaxhimit të mbetjeve dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit-fusha që kërkojnë koordinim të fortë ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe pjesëmarrje aktive të publikut.
Në kuadër të bisedës u theksua se zbatimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është prioritet strategjik i Qeverisë. Ministri Hoxha rikujtoi se Qeveria ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Agjendën e Gjelbër për periudhën 2025-2027, me ç’rast Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon që ka një dokument të tillë të përgatitur sipas një metodologjie inovative.
Në takim u shpreh gatishmëri e përbashkët për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me qëllim zbatimin e suksesshëm të reformave, shfrytëzimin efektiv të fondeve evropiane dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian në fushën e mjedisit jetësor dhe politikave klimatike.