Sot para të Namazit të Xhumasë, në një atmosferë të mbushur me respekt, mirënjohje dhe emocione, me prezencë edhe të myftiut dr.hfz. Selver Xhemaili me bashkëpunëtorë, në Xhaminë e Epërme të fshatit Dobrosht u organizua ceremonia e pranim-dorëzimit të funksionit të imamit.
Pas 33 viteve shërbim të pandërprerë dhe të përkushtuar, imami Hamdiarif ef. Xhemi me nderimet më të larta u përcoll për në pension, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar fetare, morale dhe njerëzore.
Gjatë këtyre tri dekadave, imami Hamdiarif Xhemi shërbeu me devotshmëri të lartë, urtësi dhe përkushtim ndaj xhematit, duke qenë udhërrëfyes shpirtëror, këshilltar dhe shembull i moralit islam. Kontributi i tij ka lënë gjurmë të thella në jetën fetare dhe shoqërore të fshatit Dobrosht, për çka ai gëzon respektin dhe mirënjohjen e gjithë xhematit si dhe BFI-Myftinia Tetovë.
Në këtë ceremoni, me respekt dhe besim, detyra e imamit iu dorëzua Mr. Abid ef. Nesimit, i cili u emërua si imam i ri i Xhamisë së Epërme.
Myftinia e Tetovës shpreh bindjen se ai do ta vazhdojë këtë mision fisnik me përkushtim, përgjegjësi dhe frymë bashkëpunimi institucional, duke ndjekur shembullin e mirë të paraardhësive të tij.
Ceremonia u shoqërua me fjalë falënderimi, lutje dhe urime të përzemërta si dhe duke iu dhuruar plaketë-mirënjohje imamit nga ana e këshillit të xhamisë si dhe nga BFI-Myftinia e Tetovë.
Falënderim dhe mirënjohje për imamin Hamdiarif ef. Xhemi për shërbimin e tij të gjatë e të ndershëm, dhe urime për imamin Mr. Abid ef.Nesimi për detyrën e re, me dëshirën që Allahu t’i dhurojë shëndet, sukses dhe mbarësi në shërbim të fesë dhe xhematit.
Mirënjohje dhe falenderim për këshillin e xhamisë për organizimin e mrekullueshëm.
Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen dhe forcimin e jetës fetare në shoqërinë tonë.

