Ish-të punësuarit në Lindjen e Mesme si staf civil, që kanë shërbyer në bazat amerikane gjatë luftërave në Irak e Afganistan, mesditën e së premtes protestuan para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Kumanovë. Nënshkruan një peticion për të kundërshtuar tatimin që DAP-i u ka bërë për vitin 2020, duke u bazuar në të hyrat e tyre qindra mijëra dollarëshe në Maqedoni.
Nuk iu shmangemi tatimeve, por nuk do të pranojmë padrejtësi dhe shantazhe të DAP që pas pesë vitesh të vejë tatim” tha njëri nga protestuesit, të cilët dolën me parulla në duar “183+1 ditë jo rezident”, duke u bazuar në Ligjin e të ardhurave personale, që personat të cilët kanë qëndruar kaq gjatë jashtë vendit, lirohen nga tatimi personal që është 10% i të hyrave.
Në 24 vitet e kaluara siç kanë filluar projektet në Irak dhe Afganistan, po flas vetëm për Kumanovën, mendoj se numri i të punësuarave atje ishte 20-25 mijë persona. Tani që janë përfshirë në tatim numri momental është 3-4 mijë persona mbase më shumë se nuk e dimë saktë. Këta janë persona që janë tatuar nga 2020 e këtej për pagat që kanë marrë atje, por disa iu kanë vënë tatim edhe në shumë e dëmshpërblimit. Kur t’i dërgosh ato dokumente për dëmshpërblim ata i shqyrtojnë dhe akoma janë në procedurë dhe ky mund të jetë problem”, th Zoran Nakovski – protestues.
Njëri nga protestuesit tha se po tatohen dyfish, pasi sipas tyre, kompanitë që i kanë punësuar vetëm se ju kanë ndalur nga paga paratë për tatim në shtetet ku kanë punuar. Por, që pagat e hyra rregullisht në bankat e Maqedonisë dhe dëmshpërblimet që kanë marrë pastaj, mbi 200 deri në 500 mijë dollarë, janë tatuar nga Drejtoria e të Ardhurave Publike në Maqedoni.
Dëshmitë që i kemi sjell janë pasaportat që kanë vula nga të gjitha shtete ku kemi hyrë e dalë. Pasaporta ka viza të rregullta siç shkruan ‘KBR’ sponsor për vizë pune në Irak. Pasaporta ka vula edhe sa kemi qëndruar atje, ja viza e dytë e punës dhe çdo vit na rinovonin ato viza dhe letërnjoftimet sepse si të huaj e kishim patjetër të kemi kartë identiteti dhe tani ja pyes: një kompani multi-miliardere ndërkombëtare a do të kursehet mos të na paguaj tatimin? Duhet të dëshmojmë që ajo kompani ka punuar në mënyrë kriminale”, u shpreh Zhikica Millanov – protestuese.
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se nuk bëhet fjalë për tatim retroaktiv apo urdhër të ri ligjor, por për dispozita që ishin që në krye të herës në Ligjin për të hyra personale. Drejtoresha e DAP, Elena Petrova, tha se bëhet fjalë për një princip universal që vlen në çdo juridiksion tatimor që secili tatimpagues rezident, i cili përfiton mjete në një vend të huaj duhet të deklaroj të ardhurat dhe të paguaj tatimin në vendin e vet. Ajo mohon të ketë tatim të dyfishtë dhe siguron që këto tatime janë të ligjshme dhe patjetër duhet të paguhen sipas afateve kohore.
Kështu është edhe në Rregulloren tonë që shtetasit maqedonas tatimpagues rezident këtu duhet ta deklarojnë dhe ta paguajnë tatimin për gjitha të hyrat e tyre sikurse brenda vendit ashtu edhe jashtë shtetit. Do të thotë, ta përsëris që nuk bëhet fjalë për tatim retroaktiv apo ndryshime ligjore sa i përket pagesës së tatimin nga të hyrat prej jashtë… Edhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë lidhur me disa vende, jo me të gjitha por me disa juridiksione tatimore mbrojnë që mos të vij te një tatim i dyfishtë, mos të paguhet tatimi i njëjtë në të dyja shtetet”, theksoi Elena Petrova – drejtoreshë e DAP-it.
Ish-të punësuarit në Lindjen e Mesme janë të detyruar që deri më 15 janar 2026 të paguajnë tatimin, përndryshe çdo ditë kamat vonesa është 0,3% e shumës së tatimit. Na treguan se disa tashmë kanë paguar tatimin e ri pasi kanë biznese dhe rrezikojnë t’u bllokohet xhirollogaria. Paralajmërojnë se do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese. Madje shtojnë se drejtësi do të kërkojnë edhe në Gjykatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strazburg. Paralajmëruan po ashtu se protesta e radhës do të jetë bllokimi i rrugëve.