AKTUALE

Ali Ahmeti paralajmëron publikimin e mbi 110 mijë dosjeve sekrete jugosllave – A do të dridhet Maqedonia e Veriut?

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka paralajmëruar publikimin e mbi 110 mijë dokumenteve sekrete të ish-shërbimeve jugosllave, të cilat lidhen drejtpërdrejt me Maqedoninë e atëhershme dhe përndjekjet politike ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve, gjatë emisionit “Debat në Shenja” në TV Shenja.

Ahmeti theksoi se këto dosje janë siguruar nga arkivat shtetërore të Kroacisë dhe përmbajnë dëshmi tronditëse për ndjekje, gjyqe të montuara, ekzekutime dhe atentate politike, të orkestruara nga politikat e Beogradit, të zbatuara nga strukturat lokale të ish-sistemit në Maqedoni.

“Po t’i merrni dosjet, do ta shihni qartë: për gjashtëdhjetë vite me radhë, maqedonas janë dënuar si pro-bullgarë, se kinse po punonin për Bullgarinë e Madhe, ndërsa shqiptarët janë dënuar si nacionalistë dhe separatistë që donin ta bënin Shqipërinë e Madhe. Maqedonas e shqiptarë kanë përfunduar në Goli Otok. Kjo është e dokumentuar”, deklaroi Ahmeti.

Ai u shpreh i habitur se pse institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë guximin t’i publikojnë këto dokumente, duke shtuar se nëse ato nuk nxirren nga shteti, do të publikohen nga vetë BDI.

“Nuk e di pse nuk kanë guxim t’i nxjerrin dokumentet në shesh vetë, por presin që t’ua nxjerr unë në sipërfaqe. Janë mbi 110 mijë dokumente sekrete nga arkivi i Jugosllavisë që ne i kemi përvetësuar nga arkivi kroat”, tha Ahmeti.

I pyetur nga moderatori nëse ky paralajmërim nënkupton publikimin e drejtpërdrejtë të dosjeve nga ana e partisë së tij, Ahmeti sqaroi se procesi do të jetë profesional dhe i bazuar në standarde shkencore.

“Duhet të punojnë historianë. Janë angazhuar historianë që do t’i publikojnë të gjitha dokumentet në versionin origjinal, pa asnjë ndërhyrje”, u shpreh ai.

Ahmeti theksoi se personalisht ka parë dokumente tronditëse, ku sipas tij, “maqedonas të rinj, revolucionarë e patriotë, janë dënuar me gjyqe të montuara”, ndërsa për shqiptarët janë ndjekur të njëjtat skenarë represivë.

“Kam parë ekzekutime që janë bërë, kam parë atentate politike, dhe gjithçka bëhej me akuzën se maqedonasit po punonin për Bullgarinë, ndërsa shqiptarët për Shqipërinë e Madhe. E gjitha kjo ka qenë një skenar i parapërgatitur nga Beogradi, nga politikat e atëhershme që drejtoheshin nga Sllovenia deri në Gjevgjeli”, theksoi Ahmeti.

Ai akuzoi hapur politikanët maqedonas të ish-sistemit se kanë qenë shërbëtorë të Beogradit, duke zbatuar planet e tij në dëm të qytetarëve të Maqedonisë, veçanërisht shqiptarëve.

Duke folur për politikat antishqiptare, Ahmeti tha se “laboratori i eksperimenteve antishqiptare ka qenë Shkupi”, nga ku më pas, sipas tij, janë eksportuar skenarët represivë edhe në Kosovë.

“Fillimisht në Maqedoni u aplikua heqja e shqiptarëve si element konstitutiv nga Kushtetuta, më pas i njëjti skenar u aplikua në Kosovë, me abrogimin e Kushtetutës dhe suprimimin e autonomisë. Për herë të parë, klasat e përziera u aplikuan në Maqedoninë e atëhershme, pastaj edhe në Kosovë”, deklaroi Ahmeti.

Këto qëndrime dhe të dhëna, Ahmeti i ka shpalosur edhe në brifingun e fundvitit me kryeredaktorët e mediave nacionale, ku i pranishëm ishte edhe kryeredaktori i FLAKA-s, Driton Zenku.

Paralajmërimi për publikimin e dosjeve jugosllave pritet të hapë një debat të gjerë publik dhe institucional, duke rikthyer në vëmendje një nga periudhat më të errëta të historisë politike të rajonit, me pasoja të thella për marrëdhëniet ndëretnike dhe përballjen me të kaluarën. Gazeta Flaka

Related posts

Selimi: Në histori do të shënohet se Prishtina e injoroi një kryeministër të parë shqiptar të nominuar nga vet shqiptarët

Gjyla Halili

Nik Gjeloshaj: Shqiptarët forca e dytë në Guci, falemderit 500 herë

Gjyla Halili

Mexhiti në ‘Top Tema’: Do të jem në terren jo në karrige, do të jem afër qytetarëve!

Gjyla Halili