Në terma konkretë, për një familje me konsum prej rreth 210 kilovat-orë në bllokun e parë dhe 227 kilovat-orë në tarifën e lirë, fatura mujore do të rritet për rreth 57 denarë, ose 2.28 për qind. Për familjet që kalojnë edhe në bllokun e dytë, me konsum prej 210 kilovat-orë në bllokun e parë, 420 kilovat-orë në të dytin dhe 682 kilovat-orë në tarifën e lirë, rritja mujore arrin rreth 70 denarë, ose 2.59 për qind. Në këtë kategori përfshihen rreth 169.900 familje
Në një periudhë kur shpenzimet bazë të jetesës po arrijnë nivele gjithnjë e më të larta, familjet në vend do të përballen me një tjetër rritje të faturave të energjisë elektrike nga 1 janari. Vendimi i Komisionit Rregullator të Energjisë (KRRE) parashikon rritje të diferencuara sipas blloqeve të konsumit, me ndikim minimal për shumicën e familjeve, por me kosto dukshëm më të larta për konsumatorët që shpenzojnë më shumë energji. Sipas të dhënave zyrtare të KRRE-së, 517.400 familje, apo 64 për qind e konsumatorëve, konsumojnë energji vetëm në bllokun e parë, ku çmimi do të rritet për 2.45 për qind. Ndërkohë, 169.600 familje, ose 21 për qind, hyjnë edhe në bllokun e dytë, me një rritje prej 2.87 për qind. Vetëm 14.000 familje kanë konsum edhe në bllokun e tretë dhe 4.400 në bllokun e katërt – më pak se tre për qind e konsumatorëve në total.
SA RRITET KONKRETISHT FATURA?
Në terma konkretë, për një familje me konsum prej rreth 210 kilovat-orë në bllokun e parë dhe 227 kilovat-orë në tarifën e lirë, fatura mujore do të rritet për rreth 57 denarë, ose 2.28 për qind. Për familjet që kalojnë edhe në bllokun e dytë, me konsum prej 210 kilovat-orë në bllokun e parë, 420 kilovat-orë në të dytin dhe 682 kilovat-orë në tarifën e lirë, rritja mujore arrin rreth 70 denarë, ose 2.59 për qind. Në këtë kategori përfshihen rreth 169.900 familje.
Ndikimi financiar rritet ndjeshëm për konsumatorët me shpenzim më të lartë të energjisë. Për 14.000 familje që hyjnë në bllokun e tretë, fatura mujore do të rritet mesatarisht për 370 denarë, ose 2.79 për qind, ndërsa për 4.400 familje që hyjnë në bllokun e katërt, rritja arrin deri në 900 denarë, përkatësisht 3.22 për qind. Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimoski, theksoi se modeli tarifor me blloqe është ndërtuar për të mbrojtur shumicën e konsumatorëve dhe për të dekurajuar shpenzimin e panevojshëm të energjisë elektrike.
Të dhënat tregojnë se 85 për qind e familjeve do të përballen me rritje minimale të faturës, nga 57 deri në 70 denarë në muaj. Tarifat nuk janë ndëshkuese, por korrigjuese. Ato synojnë të mbrojnë konsumatorët racionalë dhe të frenojnë shpenzimin pa kontroll të energjisë elektrike”, deklaroi Bislimoski. Ai sqaroi se shuma fikse prej 200 denarësh për akses në rrjet mbetet e pandryshuar, pasi heqja e saj do të sillte rritje edhe më të madhe për konsumatorët në bllokun e parë dhe të dytë, ndërsa do të ulte barrën për ata me konsum më të lartë.
FAKTORËT QË NDIKUAN NË ÇMIMIN E RI
Sipas KRRE-së, lista e re tarifore është ndikuar edhe nga ulja e taksës së rrjetit, e miratuar disa javë më parë, si dhe nga refuzimi i kërkesës së “EVN Home” për rritje prej 7.66 për qind. Operatorit i është lënë e drejta e ankimit, por ai është i obliguar ta zbatojë çmimin e ri nga 1 janari. Në një kontekst më të gjerë, Bislimoski vlerësoi se, pavarësisht krizave gjeopolitike dhe luhatjeve në tregun ndërkombëtar të energjisë, për familjet është siguruar një çmim relativisht i qëndrueshëm. “ESM ka siguruar energji elektrike me çmim prej 65 euro për megavat-orë, që është dy herë më i ulët se çmimet aktuale në bursat evropiane. Kontratat afatgjata në Evropë lëvizin nga 120 deri në 150 euro për megavat-orë”, tha ai.
Bislimoski theksoi se për të ulur kostot dhe për të rritur stabilitetin energjetik, ESM duhet të orientohet më shumë drejt burimeve të rinovueshme vendase. “Në periudha të caktuara, sidomos në pranverë, verë dhe fundjava, energjia nga termocentralet fotovoltaike ka çmime shumë të ulëta, madje edhe negative. Është më logjike që ESM ta blejë këtë energji nga prodhuesit vendorë sesa ta prodhojë me qymyr ose naftë”, u shpreh ai. Vendimi për çmimet e reja konfirmon se, edhe pse rritja është relativisht e vogël për shumicën e familjeve, ajo vjen në një moment të ndjeshëm ekonomik dhe do të ndikojë në mënyrë të pabarabartë buxhetet familjare – nga rritje simbolike për shumicën, deri te goditje e ndjeshme për konsumatorët me shpenzim të lartë të energjisë. (koha.mk)