Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot mirëpriti në Shkup znj. Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të vizitës së saj zyrtare.
Me këtë rast, Kryetari Mexhiti dhe Ministrja Spiropali vizituan Sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku pranë bustit të tij vendosën lule, duke shprehur respektin dhe vlerësimin për figurën historike që simbolizon identitetin, qëndresën dhe unitetin kombëtar shqiptar.
Kryetari Mexhiti theksoi se kjo vizitë përfaqëson një moment domethënës reflektimi mbi historinë e përbashkët dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga jonë kombëtare, vlera që mbeten udhërrëfyese edhe në kohë sfidash dhe përgjegjësish të reja.
Në këtë frymë, u riafirmua angazhimi për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme ndërmjet institucioneve dhe shteteve tona, në funksion të avancimit të marrëdhënieve politike, kulturore dhe shoqëror.
Ja postimi plotë:
Me nderim të veçantë, sot mirëpritëm në Shkup znj. Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Bashkë me znj. Elisa Spiropali, ndaluam në Sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Pranë bustit të tij, vendosëm lule, duke shprehur respektin tonë ndaj historisë sonë të përbashkët dhe ndaj figurës që mishëron identitetin, qëndresën dhe unitetin shqiptar. Ishte moment që na kujton se vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga jonë kombëtare duhet të mbeten udhërrëfyes edhe sot, në kohë sfidash dhe përgjegjësish të reja.
Me këtë frymë, vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të forcojmë lidhjet që na bashkojnë si shtete dhe si politikë.







