Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se nuk i merr seriozisht ankesat e individëve që mbetën jashtë strukturave të partisë në Kongresin e pestë. Në një brifing me mediat, ai deklaroi se bëhet fjalë për vetëm dy apo tre persona që kanë reaguar publikisht. Ai përmendi Abdyl Selam Selamin, për të cilin tha se ka kërkuar falje dhe se mbetet i rreshtuar në BDI. Ahmeti ishte i prerë: “Ata që ikin sepse nuk kanë funksione, le të ikin”.
Ai theksoi se BDI ka qenë dhe do të mbetet parti me debat të fortë të brendshëm dhe se asnjë vendim i rëndësishëm nuk merret pa konsultim me Këshillin e Përgjithshëm.
BDI, sipas Ahmetit, synon një marrëveshje kombëtare për zhvillim, duke vlerësuar se qytetarët janë lodhur nga politikat ditore që, siç tha, shërbejnë për përfitime partiake. “Kur kemi pasur guximin ta bëjmë Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, pse të mos kemi edhe një marrëveshje kombëtare për zhvillim, duke përfshirë ekspertët më të mirë të vendit”, tha Ahmeti.
Ai përsëriti kërkesën për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se në të ardhmen Qeveria duhet të zgjidhet me shumicë të dyfishtë, ndërsa parimi i Badinterit të zbatohet edhe në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, kjo do të jetë kusht për pjesëmarrje në qeverisje.
Ahmeti tha se Marrëveshja e Ohrit nuk ka qenë dhe nuk është e përsosur, pasi është marrëveshje kompromisi, por shtoi se brenda saj ka hapësirë për avancim në rast nevoje.
Ai kritikoi dy odat ekonomike, për të cilat tha se krijojnë ndasi dhe mbështesin oligarkët.
Nuk ka njeri në Maqedoni që di më mirë se unë të bëjë nacionalizëm. E kam shkatërruar Jugosllavinë dhe për 20 vjet kam realizuar projektin 1981–2001. Por dëgjoni fjalimin tim në Kongres, askund nuk jam marrë as me VMRO-në, as me LSDM-në, as me VLEN-in. Çfarë kam pasur për vasalët, ua kam thënë prej vitit 2002 deri më 2025. Ata nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme”, tha Ahmeti.
Sipas tij, plani A mbetet zhvillimi dhe përparimi i shtetit, ndërsa shprehu shpresën që të mos kalohet në planin B. “Nëse dal në rrugë, nuk kthehem më në shtëpi. Nuk jam përfaqësues i maceve, por i luanëve”, shtoi Ahmeti.
Kryetari i BDI-së komentoi edhe koalicionin AKI. Për Thaçin tha se ka dalë me marrëveshje dhe se kjo nuk i bën dëm koalicionit. Ndërsa për Ziadin Selën tha se në çështje madhore është pjesë e AKI-së, por sipas tij, Sela synon të ndërtojë identitetin e vet politik, pasi mendon se ndodhet nën hijen e BDI-së.
Ahmeti tha se nuk beson që Sela do ta mbështesë Nevzat Bejtën për kryetar të Gostivarit, duke shtuar se Sela nuk hyn në marrëveshje të fshehta, pasi ato, siç tha, shpejt dalin në shesh.
Në fund, u njoftua se BDI në pranverë do të mbajë një kongres tematik, ku do të diskutohet me bazën dhe më pas do të merret vendim për ideologjinë e partisë.