AKTUALE

Kongresi i pastrimit apo i rimëkëmbjes

Shkruan: Blerim Hyseni, këshilltar në komunën e Kumanovës nga radhët e BDI-së

Kongresi i BDI-së, i paralajmëruar dy muaj më parë dhe që pritet të mbahet së shpejti, është një ngjarje për të cilën flitet prej kohësh. Është e habitshme se më të interesuar për këtë kongres kanë qenë kundërshtarët politikë, sesa vetë subjekti politik në fjalë. Refreni më i përdorur ka qenë “reforma në BDI”.

Këto thirrje nuk kanë ardhur nga dashamirësia, por nga dëshira që ky subjekt politik të fundoset nga skena politike në Maqedoninë e Veriut. Sugjerimet për reforma kanë ardhur fillimisht nga kryeministri aktual, i cili që nga koha kur ishte në opozitë, e sidomos pasi erdhi në pushtet, e ka akuzuar BDI-në si të kriminalizuar dhe të korruptuar, duke theksuar se reformat janë të domosdoshme.

Këtij angazhimi iu bashkuan më pas edhe vetë kundërshtarët shqiptarë të BDI-së, thjesht sepse kështu kishte deklaruar kryeministri. Megjithatë, nëse analizohet me kujdes, kuptohet se i gjithë ky angazhim nuk ka pasur për qëllim një opozitë të reformuar politikisht, por largimin e kryetarit të saj, Ali Ahmeti.

Të vetëdijshëm se politikat e këtij subjekti janë të lidhura ngushtë me liderin e tij, ata përdorën shprehjen “gjarpri mbytet në kokë”. Por ky qëllim, fatkeqësisht për ta, nuk do të arrihet, sepse Ali Ahmeti mbetet figura qendrore jo vetëm e BDI-së, por edhe e politikës shqiptare në Maqedoni. Por a mjafton ky konstatim?

Sigurisht që jo. Edhe vetë Ali Ahmeti është koha të reflektojë, këtë herë në aspektin pozitiv. Situata është përkeqësuar dukshëm dhe pas zgjedhjeve parlamentare po shihet qartë se, pa të, tallja me shqiptarët në Maqedoni bëhet shumë më e lehtë.

Prandaj, Ali Ahmeti duhet të detektojë me saktësi individët që i ka “ushqyer” politikisht për më shumë se 20 vite dhe që në zgjedhjet lokale kanë vepruar kundër interesave të BDI-së dhe shqiptarëve. Duhet të identifikojë ata që qëndrojnë në selinë e partisë në Tetovë, ndërsa në qytetet e tyre kanë punuar kundër interesave shqiptare.

Duhet të vlerësojë edhe autoritetin e tyre real, sepse autoriteti në selinë e partisë nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me autoritet në terren, në vendin ku jetojnë dhe veprojnë. Fatkeqësisht, raste të tilla ka shumë.

Gjithashtu, duhet të kuptohet se të pakënaqurit më të mëdhenj në BDI janë pikërisht ata që kanë përfituar më së shumti, e jo ata që kanë përfituar pak ose aspak. Është e domosdoshme të bëhet dallimi mes njerëzve që kanë autoritet vetëm në seli dhe atyre që kanë autoritet real në terren.

Nuk është aspak vonë për t’i bërë këto veprime, dhe rasti ideal është pikërisht ky kongres. Ky është momenti që, njëherë e përgjithmonë, disa individëve t’u bëhet e qartë sa peshojnë dhe sa vlejnë realisht, dhe të mos luajnë rolin e trimit apo të faktorit politik pa qenë të tillë.

Sa i përket politikave të veprimit politik, BDI nuk ka shumë çfarë të reformojë, sepse tashmë është e qartë se skena politike ka ndryshuar, ndërsa nevojat dhe realizimi i të drejtave të fituara të shqiptarëve po vihen çdo ditë e më shumë në pikëpyetje.

Prandaj, BDI dhe në veçanti Ali Ahmeti, në këtë kongres, për hir të votave të fituara dhe përgjegjësisë si subjekti kryesor politik i shqiptarëve, e kanë për obligim t’u bëjnë me dije disa individëve të cilët ai i njeh shumë më mirë se qytetarët shqiptarë se mjaft ishte me ju. Kjo, sepse ai është i obliguar ndaj qytetarëve shqiptarë që për dy dekada me radhë i kanë dhënë besimin në çdo cikël zgjedhor.

“Për një plesht nuk digjet jorgani” është një thënie e vjetër shqiptare. Për disa individë të cilet për shume vjet I ka mbajt afër e të cilet kane luajtur rolin a kapove, nuk duhet të vihet në pikëpyetje jo vetëm interesi i BDI-së si subjekt , por në pyetje është interesi i të gjithë shqiptarëve në Maqedoni.

Prandaj, ky kongres duhet të jetë kongres i pastrimit, pas të cilit, pa dyshim, do të vijë rimëkëmbja.

Related posts

Mark Gjonaj: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

Gjyla Halili

Xhaferi – Jaqimovic: Marrëdhënie të afërta dhe bashkëpunim në funksion të ndërtimit të një ardhmërie më të sigurt dhe më prosperuese për të dyja vendet

Gjyla Halili

Kovaçevski u kërkon falje mediave: I pranoj të gjitha reagimet e SHGM-së

Gjyla Halili