Rami Mislimi
Shqiptarët në këtë shtet herë kanë qenë të përfaqësuar e herë të shtypur. Pas vitit 2001 gjithçka ndryshoi dhe shqiptarët filluan ta ndjejnë veten pjesë të këtij shteti, filluan të kuptojnë çfarë do të thotë shteti, çfarë do të thotë të jesh pjesë e tij dhe çfarë do të thotë të kesh ndikim real në shtet.
Sot ndalem te periudha kur PDSH-ja dhe Menduh Thaçi ishin pjesë e qeverisjes së këtij shteti.
Përkundër disa gabimeve të vogla gjatë qeverisjes së PDSH-së dhe Menduh Thaçit në vitet 2006–2008, dua të theksoj një realitet të pamohueshëm. Kur fuqia politike e një lideri dhe e një partie ka dorë në shtet, shqiptari e ndjen se ka dikë që e mbron, dikë që i del zot dhe dikë që e bën krenar.
Për gabimet e PDSH-së dhe Menduh Thaçit është folur shumë dhe ato janë ndëshkuar disa herë me votë nga qytetarët. Por sot, pas 18 vitesh, kur krahasojmë fuqinë politike të PDSH-së dhe Menduh Thaçit me fuqinë politike të VLEN-it dhe pesë liderëve të tij, është koha të flasim hapur se si jemi ndjerë atëherë dhe si ndihemi sot.
Pse sot duhet mbështetur PDSH-ja dhe Menduh Thaçi?
Pikërisht duke krahasuar fuqinë e tyre shtetërore në atë periudhë me realitetin politik të sotëm.
Në kohën kur PDSH-ja, e udhëhequr nga Menduh Thaçi, ishte pjesë e qeverisë me kryeministrin më të fuqishëm të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, ky i fundit erdhi në Tetovë dhe u ul në Xhaminë e Pashës për të respektuar besimtarët myslimanë. Për mua, ky veprim simbolizonte fuqinë politike të Menduh Thaçit dhe bashkëpunimin real mes partnerëve të koalicionit.
Universiteti i Tetovës në kohën e PDSH-së nga katër fakultete u shndërrua në 13 fakultete dhe dhjetra programe studimore, një sukses i drejtpërdrejtë i vendosmërisë dhe fuqisë politike të PDSH-së. Universiteti i Evropës Juglindore u krijua në kohën e PDSH-së dhe sot prodhon emra të njohur në të gjithë fushat akademike dhe profesionale, një institucion që i jep dinjitet arsimit shqiptar.
Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve u krijua falë PDSH-së dhe Menduh Thaçit dhe sot funksionon ende, duke ruajtur historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Në atë periudhë, bizneset shqiptare ishin më të fuqishme se sot, shqiptarët ishin më të pasur, më të sigurt dhe më kokëlartë.
Në kohën e PDSH-së kishte ndarje reale të pushtetit dhe të buxhetit. Zëvendësministri shqiptar ishte i barabartë me ministrin maqedonas, zëvendësdrejtori shqiptar kishte peshë reale sa drejtori maqedonas. Administratori, doganieri, polici, ushtari dhe çdo nëpunës shqiptar nuk kishte frikë, sepse fuqia vinte nga lart dhe ajo fuqi quhej Menduh Thaçi.
Sot, realiteti është ndryshe. Ministri shqiptar ka më pak fuqi se zëvendësministri maqedonas. Zëvendësministrat shqiptarë nuk kanë pushtet, as mjete elementare për funksionim; janë thjesht dekor që marrin një pagë. Zëvendësdrejtorët as nuk njihen, as nuk janë prezentë në institucionet që përfaqësojnë, jo për mungesë vullneti, por për mungesë fuqie.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, shqiptarët duhet të mbështesin Menduh Thaçin dhe PDSH-në. PDSH-ja duhet të ringrihet si mburojë e shqiptarëve, si zë i tyre i fuqishëm dhe si forcë që garanton barazi dhe respekt.
Sot shqiptarët janë më të varfër, më të frikësuar dhe më të pambrojtur. Por nëse PDSH dhe Menduh Thaçi forcohen duke u rikthyer ish-anëtarët, ish aktivistët e PDSH-së dhe qytetarët e pambrojtur, nesër shqiptarët mund të jenë më të fuqishëm, më të krenarë dhe më të respektuar.
PS: Nëse dikush i mohon këto, ose nuk ka jetuar në Maqedoni ose i vjen inat që ka qenë Menduh Thaçi.