Të nderuar bashkëfamiljarë të Dëshmorëve!
Të nderuar Veteranë dhe Invalidë të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare!
Përfaqësues të institucioneve shtetërore, qendrore e lokale!
Të nderuar studiues, intelektualë, veprimtarë të çështjes kombëtare!
Zonja dhe zotërinj!
Sot, jemi mbledhur në këtë Akademi Përkujtimore për të nderuar një nga sakrificat më sublime të historisë sonë të re kombëtare. Para 27 vitesh, 41 luftëtarë të lirisë ranë heroikisht, duke u bërë pjesë e pavdekshme e altarit të lirisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Në atë ditë, karvani i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i prirë nga Komandanti i shquar Mujë Krasniqi, po kalonte kufirin që për dekada kishte ndarë shqiptarët dhe kishte copëtuar tokat e tyre. Aty ranë në një pritë të organizuar nga forcat pushtuese. Rrethimi ishte i hekurt, zjarri i armikut vinte nga të gjitha anët, por nuk kishte forcë që t’i thyen¬te ata.
Ata u përgjigjën flakë për flakë, me qetësinë dhe vendosmërinë e luftëtarëve që e dinin pse kishin dalë në luftë. Luftuan me guxim dhe ranë heroikisht, duke dëshmuar se liria kërkon sakrificën më të lartë. Ranë që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vet. Ranë për ta kthyer historinë në drejtimin e saj të natyrshëm.
Sot, kur i përkujtojmë, është me rëndësi të theksojmë një të vërtetë themelore historike: Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk erdhi rastësisht në skenën e kombit. Ajo ishte kurorëzim i një përpjekjeje të gjatë, i mendjes, i vizionit, i sakrificës dhe i luftës së disa brezave shqiptarë kundër pushtimit dhe mohimit të lirisë.
UÇK-ja lindi nga rezistenca politike, nga organizimi ilegal, nga burgjet dhe internimet, nga qëndresa intelektuale dhe kombëtare. Ajo lindi nga një histori e gjatë mosnënshtrimi, ku figura si Adem Demaçi u bënë simbol i ndërgjegjes kombëtare dhe i qëndresës së pathyeshme shqiptare. Demaçi nuk ishte vetëm një njeri — ai ishte ideolog i lirisë, zëri i ndërgjegjes sonë kolektive, dëshmi se liria fillon në mendje dhe në karakter, përpara se të fitohet me armë.
Në anën tjetër, historia jonë e re njeh edhe simbolin më të lartë të trimërisë dhe heroizmit shqiptar: Komandantin Legjendar Adem Jashari. Me luftën, me heroizmin dhe me sakrificën e Tij dhe të Familjes së Tij, Ai dëshmoi se liria ka çmim, por edhe se një popull që ka bij të tillë nuk mund të mposhtet kurrë. Adem Jashari dhe Prekazi i tij u bënë themeli moral i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bënë frymëzim për mijëra luftëtarë dhe për mbarë kombin që iu bashkua radhëve të saj.
Në këtë vazhdimësi historike qëndrojnë edhe Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarët e Tij Dëshmorë, që po i kujtojmë sot. Në këtë vazhdimësi historike qëndrojnë edhe Fahmi e Xhevë Lladroci, Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi dhe gjithë të rënët për liri e bashkim kombëtar. Ata nuk ishin rastësi. Ata ishin bij të një tradite të gjatë atdhetare, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre historik dhe të vendosur për ta çuar luftën deri në fund.
Dëshmorët tanë e kanë fituar lavdinë e tyre me jetën e tyre. Ata nuk kanë nevojë të marrin lavdi nga ne.
Ne kemi nevojë për ta — për shembullin e tyre, Betimin e tyre, për amanetin e tyre.
Detyra jonë, detyra e brezave të sotëm, është t’i mbrojmë fitoret e arritura me aq sakrificë. T’i mbrojmë në një kohë të turbullt, me sfida serioze për paqen në rajon dhe në botë.
Nderimi më i madh për Dëshmorët nuk është vetëm në fjalë, por në vepra: në ndërtimin e një shteti funksional, të lirë dhe plotësisht të shkëputur nga Serbia, në zhvillimin ekonomik, në arsim cilësor, në shëndetësi të fortë dhe në një shoqëri të emancipuar.
Na duhen më shumë dije, më shumë kulturë, më shumë përgjegjësi publike. Na duhet më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim për çështjet vitale të vendit dhe të kombit.
Partitë politike duhet të heqin dorë nga gjuha përçarëse dhe denigruese dhe t’i vendosin interesat kombëtare mbi interesat grupore afatshkurtra.
Po aq i domosdoshëm është edhe bashkëpunimi mbarëkombëtar. Prishtina, Shkupi dhe të gjitha hapësirat shqiptare duhet të koordinohen ngushtë me Tiranën — me shtetin shqiptar, anëtar i NATO-s dhe në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat e kohës dhe ta sigurojmë të ardhmen.
Sot, në këtë Akademi, ne nuk jemi vetëm për të kujtuar të kaluarën, por për të riafirmuar rrugën tonë. Rrugën e lirisë, të dinjitetit dhe të përgjegjësisë historike për të qenë të bashkuar rreth interesave kombëtare dhe rreth Flamurit tonë kuqezi.
Dëshmorët na lanë amanet lirinë e Kosovës shqiptare dhe detyrën për të vazhduar përpjekjet në frymën e BETIMIT të UÇK -së.
Le ta mbajmë këtë amanet me nder e krenari shqiptare!
Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!
Nderim i përjetshëm familjeve të tyre!
Mirënjohje e thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë!
Prishtinë, më 14 dhjetor 2025