AKTUALE

REAGIM NGA LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË-KUVENDI PËR MAQEDONINË e VERIUT

Lidhja Shqiptare në Botë – Kuvendi për Maqedoninë e Veriut shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për gabimin e përsëritur dhe tendencën e panevojshme që Ministria e Arsimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka bërë në librin e gjeografisë për klasën e VII, ku Republika e Kosovës identifikohet me terminologji të papranueshme dhe historikisht të tejkaluar, si “Kosova dhe Metohia”.

Ky është një lëshim i rëndë profesional, institucional dhe diplomatik.

Kosova është shtet fqinj, partner strategjik dhe vend mik i Maqedonisë së Veriut. Përdorimi i termave që synojnë të zbehin shtetësinë e saj apo të nxisin narrativa të huaja është i papranueshëm dhe bie në kundërshtim me orientimin euroatlantik të vendit.

Më shqetësuesja është se një veprim i tillë prek drejtpërdrejt dhe fyen shpirtërisht edhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut – qytetarë që janë themeli dhe shtylla e fortë e shtetit, kontribues të paalternativë në zhvillimin politik, institucional dhe demokratik të vendit.

Nuk është në të mirën e Maqedonisë së Veriut që të dërgojë mesazhe provokuese drejt vendeve fqinje, e aq më pak ndaj Kosovës dhe Shqipërisë – vende që asnjëherë nuk kanë kontestuar gjuhën maqedonase, identitetin maqedonas apo Kishën Ortodokse Maqedonase. Përkundrazi, ato e kanë mbështetur Maqedoninë e Veriut në procese politike, ekonomike, kulturore dhe në sfida ndërkombëtare.

Prandaj kërkojmë:

Ndreqjen e menjëhershme të gabimit në librin e gjeografisë dhe të çdo materiali tjetër mësimor ku mund të jetë përdorur terminologji e gabuar për Republikën e Kosovës.

Kërkim faljeje publike nga autoritetet përgjegjëse, si dhe marrjen e masave profesionale ndaj atyre që e kanë lejuar këtë lëshim.

Respektim të plotë të realiteteve politike, gjeografike dhe diplomatike në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Një qasje të përgjegjshme ndaj diversitetit etnik në vend, duke kujtuar se qytetarët shqiptarë janë bashkëthemelues të shtetit dhe jo publik i dorës së dytë.

Maqedonia e Veriut duhet të ndërtojë ura, jo mure. Marrëdhëniet mes fqinjëve dhe partnerëve nuk duhet të cenohen nga gabime të tilla, të cilat dëmtojnë jo vetëm respektin ndërkombëtar të vendit, por edhe harmoninë e brendshme ndëretnike.

09.12.2025
Lidhja Shqiptare në Botë – Kuvendi për Maqedoninë e Veriut

Related posts

Fraksioni BDI: Me këtë qasje përçarëse epilogu në Kumanovë ishte kasaphane me të vrarë, të plagosur dhe të burgosur!

admin

Arianit Hoxha i mblodhi nënshkrimet për regjistrim të Partisë demokratike evropiane

admin

Faton Ahmeti nga Bogovina: Bujar Osmani shpres se një ditë vendi ynë do të integrohet në BE

Gjyla Halili