Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një vizitë të veçantë në dy komuna të rajonit të Drenicës, në Drenas dhe Skenderaj, një zonë e njohur tradicionalisht si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. Vizita e tij u prit me interes të madh, për shkak të karakterit simbolik dhe marrëdhënieve historike që Ahmeti ka pasur me këtë trevë.
Vizitën e filloi te kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, i cili Ali Ahmetin e quan vëlla, kurse aktualisht po vijon takimin me kryetarin e komunës së Skenderajit, Sami Lushtaku.
Gjatë takimeve me drejtues lokalë, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke u ndalur në fushat e arsimit, zhvillimit ekonomik dhe projekteve infrastrukturore që, sipas tij, duhet të forcojnë lidhjet ndërmjet komunave të Drenicës dhe qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Vizita e tij në një rajon të identifikuar me PDK-në u interpretua si një mesazh për unitet politik dhe komunikim të hapur ndërmjet figurave të rëndësishme të hapësirës shqiptare. Po ashtu, u vlerësua si një shenjë respekti për rolin historik të Drenicës në proceset e çlirimit dhe shtetformimit të shqiptarëve në Kosovë.
Ahmeti, i cili ka lidhje të hershme me familje e shquara dhe peronalitete historike të këtij rajoni, deklaroi se Drenica mbetet një vend me rëndësi të veçantë për të, jo vetëm politikisht, por edhe emocionalisht. Ai shtoi se bashkëpunimi ndërshqiptar është kyç për stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon.
