Njoftim dhe shqetësim publik për situatën në Komunën e Strugës
Në Komunën e Strugës po ndodhin gjëra që nuk mund të kalohen në heshtje. Kemi informacion të saktë se deri tani janë larguar 9 punonjës, dhe pritet të largohen edhe rreth 20 të tjerë, shqiptarë. Këta janë njerëz që kanë vite të tëra që i shërbejnë komunës me përkushtim dhe ndershmëri, dhe sot po përballen me padrejtësi që po rëndon mbi familjet e tyre.
Duhet ta them hapur: nuk është e lehtë për askënd të përballet me pasiguri ekonomike. Shumë prej këtyre njerëzve janë prindër që rritin fëmijë, kanë kredi, qera, obligime dhe halle që vetëm ata i dinë. Për disa prej tyre, paga e komunës është e vetmja e ardhur që mban shtëpinë në këmbë.
Prandaj e them me gjithë zemër:
mos ua hiqni njerëzve mundësinë për të ushqyer fëmijët e tyre. Askush nuk ka të drejtë t’ia presë dikujt të ardhurën e vetme. Kjo është koha për të treguar njerëzi, jo padrejtësi.
Largimet e bëra pa arsye të qartë krijojnë frikë, përçarje dhe një klimë shumë të rëndë. Institucionet janë aty për t’i mbështetur qytetarët, jo për t’i lënë pa punë dhe pa shpresë. Asnjë punonjës nuk duhet të ndihet i nëpërkëmbur apo i kërcënuar.
Kërkoj me këmbëngulje që të gjithë punonjësit e larguar të kthehen në vendet e tyre të punës, dhe çdo vendim i marrë pa argument profesional të rishikohet. Njerëzit nuk janë numra. Ata janë baballarë, nëna, djem, vajza njerëz që e mbajnë familjen me djersën e tyre të përditshme.
Kjo nuk është thjesht çështje e disa individëve. Është çështje dinjiteti për të gjithë Strugën. Respekti dhe drejtësia nuk duhet të mungojnë asnjëherë.
Valon Qyra
Koordinator i BDI-Strugë.