Sipas njoftimit të MASH-it, këto bursa ndahen “në bazë të dispozitës së Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase” dhe kanë për qëllim stimulimin e maturantëve që të regjistrohen në studimet për gjuhë maqedonase. Por ky vendim ngre pyetje të rëndësishme për barazinë gjuhësore dhe trajtimin institucional të gjuhës shqipe, e cila po përballet me rënie të interesimit dhe mungesë mbështetjeje konkrete nga shteti
Anëmsha SHABANI
Shkup, 7 nëntor – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka shpallur konkursin për bursat studentore për vitin akademik 2025/2026, ku 15 bursa do t’u ofrohen vetëm studentëve të programeve të gjuhës maqedonase, ndërsa studentët e gjuhës shqipe mbeten pa asnjë mbështetje. Ky vendim reflekton qartë se shteti nuk po kujdeset për kultivimin e gjuhës shqipe, e cila ka status zyrtar, duke lënë pa mbështetje financiare dhe institucionale një program studimi që ka nevojë reale për studentë dhe mësimdhënës, shkruan gazeta KOHA.
Sipas njoftimit të MASH-it, këto bursa ndahen “në bazë të dispozitës së Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase” dhe kanë për qëllim stimulimin e maturantëve që të regjistrohen në studimet për gjuhë maqedonase. Por ky vendim ngre pyetje të rëndësishme për barazinë gjuhësore dhe trajtimin institucional të gjuhës shqipe, e cila po përballet me rënie të interesimit dhe mungesë mbështetjeje konkrete nga shteti. Gazeta KOHA ka provuar të kontaktojë MASH-in për të marrë një sqarim nëse parashikohen masa të ngjashme për studimet në gjuhën shqipe, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka ndonjë përgjigje.
Megjithatë, për këtë çështje, Ajtene Hajdari-Qamili, profesoreshë e gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, deklaroi për gazetën KOHA se ndonëse shteti ka të drejtë të mbështesë drejtimet deficitare, mungesa e barazisë në këtë rast është e dukshme dhe problematike.
“Në shumë shtete të botës, shteti jep bursa për drejtimet deficitare ose për ato që janë me interes të veçantë publik. Në 6-7 vitet e fundit në Katedrën e gjuhës maqedonase ka pasur gjithnjë e më pak interesim, ndonjëherë vetëm 5-6 studentë. Por ajo që është më interesante, është se pjesa më e madhe e atyre studentëve janë shqiptarë, me synim që të bëhen mësimdhënës të gjuhës maqedonase. Uroj që këtë bursë ta marrin edhe shqiptarët, sepse e dimë se shumë shpesh kur ‘ndahet kulaçi’, shqiptarët diskriminohen”, tha profesoresha.
Ajo rikujton se ka pasur një përpjekje institucionale për të krijuar bursa të ngjashme për përkthyesit nga shqipja në maqedonishte dhe anasjelltas, por që kjo nismë është ndërprerë me ndërrimin e ministrit të arsimit.
“Kur isha këshilltare në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, kërkuam nga ministri i atëhershëm Jeton Shaqiri që të ndajë bursa për studentët që zgjedhin drejtimin e përkthimit shqip-maqedonisht dhe anasjelltas, për të rritur cilësinë dhe për të mbuluar nevojat e institucioneve publike. Marrëveshja u nënshkrua në dhjetor dhe duhej të hynte në zbatim nga shtatori i vitit pasues, por me ndërrimin e ministrit, ajo u hoq tërësisht. Ky veprim është tërësisht jokorrekt dhe i padrejtë”, tha ajo. Sipas Hajdari-Qamilit, mungesa e mbështetjes financiare dhe institucionale ndikon drejtpërdrejt në rënien e interesit për gjuhën shqipe, duke shtuar se kjo është një tendencë që vihet re në gjithë sistemin arsimor.
“Edhe në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe katër vitet e fundit ka rënë interesimi. Të rinjtë sot orientohen drejt drejtimeve si shkenca kompjuterike, administratë publike, psikologji apo punë sociale. Këtë e ndikon edhe migrimi, rënia e natalitetit, si dhe zgjerimi i universiteteve publike dhe private. Prandaj, mbështetja financiare dhe institucionale është faktor kyç për ta përmirësuar gjendjen”, shtoi profesoresha.
Ndryshe, ajo apelon për trajtim të barabartë gjuhësor dhe politika të qarta shtetërore që njohin shqipen si pjesë të pandashme të sistemit arsimor dhe identitetit shtetëror, duke theksuar se listat e prioriteteve për bursa duhet të jenë të drejta dhe jo të njëanshme, dhe përdorimi i gjuhës shqipe duhet të ecë paralelisht me atë maqedonase në institucionet publike. Sipas saj, është e nevojshme që ligji për gjuhën shqipe të interpretohet dhe zbatohen rregulla të qarta, në mënyrë që të ruhet përdorimi i saj dhe të sigurohet zhvillimi i mësimdhënies dhe studimeve në këtë gjuhë.(koha.mk)