AKTUALE

Kardio-kirurgu Florim Cuculi me apel për unitet kombëtar për Kërçovën: “Koha është për bashkim, jo për përçarje”

Pas një fushate të ashpër dhe një raundi të dytë zgjedhor historik për Kërçovën, një prej zërave më të respektuar të diasporës shqiptare, kardio-kirurgu dhe veprimtari Florim Cuculi, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për bashkim kombëtar, maturi politike dhe respekt të vullnetit të qytetarëve.

Në një reagim publik, Cuculi theksoi se ky është momenti kur shqiptarët duhet të qëndrojnë së bashku përtej ndarjeve partiake dhe përtej interesave të ngushta politike.

“Koha është për bashkim, jo për përçarje. Ky është momenti kur mund ta dëshmojmë pjekurinë tonë si komb,” tha ai.

Ai rikujtoi se procesi zgjedhor është mjet demokratik, dhe verdikti i popullit duhet respektuar me dinjitet.

“Ishte një fushatë e ashpër dhe populli foli. Ne duhet ta respektojmë verdiktin e shumicës dhe të rreshtohemi të gjithë së bashku për një qëllim të përbashkët – që Kërçova të vazhdojë të frymojë shqip,” deklaroi Cuculi.

Duke iu referuar situatës pas zgjedhjeve, ai nënvizoi se ky nuk është moment për eufori, fyerje apo triumfalizëm, por për reflektim dhe unitet.

“Nuk na duhet triumfalizëm, nuk na duhet mllef, nuk na duhen ofendime. E kam thënë edhe më herët: jemi vetëm një grusht njerëzish dhe vetëm të bashkuar mund të ecim përpara,” shtoi ai.

Një pjesë të rëndësishme të mesazhit të tij, Cuculi ia dedikoi diasporës kërçovare, e cila edhe këtë herë luajti një rol të rëndësishëm në procesin zgjedhor. Si pjesëtar i saj, ai shprehu mirënjohje për kontributin dhe lidhjen e pandarë me vendlindjen.

“Ne e kemi dëshmuar dashurinë tonë për këtë vend dhe do ta bëjmë këtë përsëri. Ne e duam Uskanën pa interes – e duam sepse është e jona, sepse ajo na mban gjallë shpirtin tonë. Faleminderit diasporës që erdhi dhe mundësoi një rund të dytë,” u shpreh ai me emocion.

Mesazhi i tij është mirëpritur gjerësisht në rrjete sociale dhe në opinionin publik si një thirrje e qartë për bashkim kombëtar, për respekt të ndërsjellë dhe për një të ardhme më të mirë të Kërçovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Florim Cuculi është një prej emrave të njohur në diasporën shqiptare, një profesionist i respektuar në fushën e kardiokirurgjisë në Zvicër dhe një zë aktiv për çështjet kombëtare, veçanërisht për vendlindjen e tij – Kërçovën.

Related posts

BDI: Sindromin e Gazimestanit VLEN e manifestoi me Ambasadorin Rus dhe rusofilin Stoilkoviq

Gjyla Halili

OBRM-PDUKM: LSDM dhe BDI kanë vënë në rrezik besimin tek institucionet pasi KE zbuloi një krim

Gjyla Halili

Ali Ahmeti nga Gostivari: JO ky shtet nuk është i maqedonasëve, le ta harojnë

Gjyla Halili