Bajram Rexhepi, kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, i është drejtuar sonte qytetarëve me një mesazh të ngrohtë dhe motivues, duke i ftuar ata të marrin pjesë në zgjedhjet që do të mbahen më 19 tetor.
“Dashur bashkëqytetari im tetovar, unë e di se secili nga ju e do këtë qytet. Secili në mënyrën e vet, disa kujdesen më shumë, disa më pak, por të gjithë e mbajmë Tetovën në zemër. Kaluam një fushatë të gjatë, intensive dhe dinjitoze. Trokitëm në çdo derë, vizituam çdo lagje, çdo vendbanim dhe çdo fshat. Biseduam zemërhapur, shkëmbyem ide, dëgjova shqetësimet tuaja dhe ndjeva dashurinë tuaj për Tetovën tonë. Nga çdo takim mora besim, nga çdo shikim mora forcë, dhe nga çdo fjalë motivin për të mos u ndalur”, tha Rexhepi.
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në procesin zgjedhor. Ai u bëri thirrje tetovarëve që të dielën të votojnë të lirë, me bindje dhe krenari. “Votoni për dinjitetin që Tetova e meriton, për shpresën që e kemi ndezur bashkë, për punën që na pret nga e hëna. Kjo nuk është një votë për mua, është votë për të ardhmen tonë të përbashkët, për Tetovën që duam dhe që do ta ndërtojmë bashkë”, shtoi Rexhepi.
Aleanca Kombëtare për Integrim thekson se kandidati i saj ka përkushtim, vizion dhe energji për zhvillimin e qëndrueshëm të Tetovës dhe për përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve të qytetit. Fushata e Rexhepit ka qenë intensive dhe e hapur, me vizita të drejtpërdrejta te qytetarët, dëgjim të shqetësimeve të tyre dhe prezantim të ideve konkrete për përmirësimin e jetës së përditshme në komunë.
Rexhepi është i vendosur që, nëse zgjedhet kryetar, të punojë për një Tetovë më të pastër, më të sigurt dhe më të zhvilluar, ku qytetarët ndihen të përfshirë dhe të respektuar.
