Shefi i deritanishëm i Shtabit Zgjedhor të koalicionit VLEN në Gostivar, Fisnik Ristemi, ka njoftuar sot dorëheqjen nga ky funksion. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shpallur se nuk do të jetë më pjesë e aktiviteteve zgjedhore të VLEN në këtë qytet, duke akuzuar ashpër drejtuesit lokalë të koalicionit.
“Nuk do jemë pjesë e kalkulimeve të dështakëve në politikë si Azir Aliu e Bashkim Hasani. Nuk dua të jem pjesë e dështimit dhe humbjes së madhe që do pësojë VLEN në Gostivar për shkak të këtyre personave, të cilët nuk fitojnë as në lagjet e veta dhe shfrytëzojnë momentin e turbulluar për t’u ngritur politikisht, por do fundosen përfundimisht”, ka shkruar Ristemi.
Ai ka theksuar se tërhiqet nga çdo aktivitet i VLEN në Gostivar, duke i lënë përgjegjësitë tek strukturat lokale që sipas tij, po e çojnë koalicionin drejt dështimit. Megjithatë, në reagimin e tij, Ristemi ka shprehur respekt për liderët qendrorë të VLEN dhe për kryetarin e Shtabit Qendror, Adnan Azizi, si dhe për aktivistët që ai thotë se i ka sjellë dhe i ka gjetur në këtë koalicion.
Dorëheqja e tij pritet të shkaktojë lëvizje të reja brenda shtabit lokal të VLEN në Gostivar, veçanërisht në prag të fushatës zgjedhore që tashmë ka hyrë në fazë intensive.