AKTUALE

SHEMBËLLTYRA E TIJ

Shkruan Myftiu i Tetovës Dr. Hfz. Selver Xhemaili.

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”
(Kuran, 33/21)
Muhammedi a.s., nuri i gjithësisë ka nderuar botën tonë me lindjen e tij, pak para se të agojë dita e hënë e 12 Rebiul Evvelit që përkon me datën 20 prill të vitit 571. Dhe sa herë që vinë kjo datë përkujton lindjen e Pejgamberit të mëshirës dhe na detyron sërish të përkujton personalitetin e tij të lartë. Figura e Muhammedit a.s., ka bashkuar në vetvete përsosmërinë moralo-etike që është në gjendje t’u jap përgjigje të gjitha kërkesave. Vetëm personaliteti i tij mundë tu bëhet prijës dhe udhëzues i të gjitha etapave të jetës së njerëzve të ndodhur në situata të ndryshme. Ai përbën momentin bazë të edukimit të njerëzve në botë. Ai shpërndan dritë mbi rrugën e atyre që kërkojnë dritë. Orientimi i tij është një dritë ndriçuese dhe e pagabueshme për çdo njeri që kërkon rrugën e drejtë. Ai është prijësi dhe mësuesi i vetëm i të gjithë njerëzimit.
Referenca më e sakt, më e qartë dhe më e bukur për të kuptuar personalitetin e të Dërguarit të Allahut pa dyshim që është Dërguesi i tij pra Allahu Madhëriplotë respektivisht fjala e Tij Kurani Fisnik. Andaj sikurse neve që na e ka mësuar Kur’anin i Dërguari i Zotit, poashtu edhe Kur’ani na e tregon personalitetin e tij, madje duke na e bërë të ditur edhe arsyen dhe qëllimin pse pikërisht është përzgjedhur Muhammedi a.s. dhe arsye pse ai është zgjedhur si pejgamber është morali i bukur i tij, veçori të cilat çdo kush i di dhe askush nuk mund ti mohoj përfshirë edhe kundërshtarët e tij.
Sureja El-Kalem, brenda së cilës gjendet ajeti që thekson se i Dërguari a.s., qëndron mbi një moral të mrekullueshëm, është ndër suret e para të shpallura. Nga ky fakt kuptohet që morali i mrekullueshëm edhe përpara pejgamberllëkut të tij kishte lënë gjurmë të thella te çdonjëri që e njihte atë. Personaliteti i tij ka qenë shëmbëlltyrë prej së cilës është mahnitur çdokush. Dihet fortë mirë se nga ana e Mekasve, atij edhe para Islamit, për shkak të sinqeritetit të tij, i ishte dhënë emri “el-Emin” (i sinqerti, besniku). Pra, morali i tij ishte prodhim i formatimit hyjnor, të cilin e kishte ndërtuar Allahu Madhëriplotë.
Me fillimin e shpalljes kuranore, morali i tij i mrekullueshëm kishte kaluar përmes kullueses së Kur’anit dhe kishte marrë një pamje edhe më të mrekullueshme nga ç’ishte. Besimin dhe parimet e tij, llojet e adhurimeve dhe kushtet e tyre, virtytet morale dhe esencën e ligjeve i mësoi nëpërmjet shpalljes që ia dërgoi Zoti Madhëriplotë. Aisheja r.a., e cila aludon në këtë të vërtetë, kur e kanë pyetur për moralin e të Dërguarit a.s., është përgjigjur kështu: “Ju a nuk e lexoni Kur’anin? Morali i tij ishte Kurani.” Morali i tij ishte Kur’ani, sepse ai ishte forma e Kur’anit, e transformuar në njeri. Ai me plot kuptimin e fjalës, gdhihej me Kur’an dhe lëviz, punon, flet, vepron dhe ngrysej me Kur’an. Ashtu siç është reflektuar Kur’ani në jetën e të Dërguarit Fisnik, gjatë njëzet e tre viteve të periudhës pejgamberike, në të gjitha sjelljet dhe fjalët e tij ai ka reflektuar shpalljen kuranore. Prandaj themi se pejgamberi është një jetë e mbrojtur me Kur’an dhe se i Dërguari ishte Kur’an i gjallë.
Siç dihet pranë parimeve dhe bindjeve fetare, morali është një ndër shtyllat themelore të fesë. Posedimi i bindjeve të shëndosha, respektimi i kufijve të vendosur nga Allahu i Madhërishëm dhe zbukurimi me veti dhe vlera morale të shëndosha krijon një personalitet dhe shoqëri madhështore. Nuk duhet harruar se vendosja e moralit dhe edukatës në tokë ka qenë misioni parësor i të dërguarve të Zotit, ku i dërguari i fundit i fesë islame, Muhammedi a.s., ka thënë se “jam dërguar për ta përsosur moralin te njerëzit”.
Prandaj duke marrë parasysh të gjitha veçoritë e bukura të tij, vetitë e larta morale Allahu Madhëriplotë njerëzisë ia prezanton si “shembulli më i bukur”. “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Kuran, 33/21)
O Zot na mundëso ta njohim më mirë të Dërguarin Tënd dhe të ndjekim mësimet e tij.

S. Xhemaili “Kuvendime Fetare”

Related posts

Pavarësi dhe paanshmëri të sistemit gjyqësor- BE me mesazh që shteti të dënojë korrupsionin edhe në nivel të lartë

admin

Nik Gjeloshaj uron muajn e shejtë të Ramazanit: “Le të jetë muaj i rishqyrtimit të vërtetë të gjithçkaje të dukshme dhe përkushtimit ndaj Krijuesit”

Gjyla Halili

Konjufca mbështet Kurtin: Lajçaku është pozicionuar në anën e Serbisë

admin