Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. hfz. Shaqir ef. Fetahu, i shoqëruar nga Drejtori për Diasporë, Mr. Mafiz Rustemi, dhe Drejtori për Kulturë dhe Shkencë, Mr. Musanif Rufati, priti në kabinetin e tij imamin e xhamisë “Ikra” në Emsdetten të Gjermanisë, H. Sedat ef. Shabanin.
Gjatë takimit, imami Sedat ef. Shabani e falënderoi Reisul Uleman për pritjen e ngrohtë dhe e njoftoi për zhvillimin e madh që ka përjetuar xhamia “Ikra” në një periudhë të shkurtër kohe. Ai kujtoi se në fillimet e tij, ky vend adhurimi kishte një xhemat shumë të vogël, ndërsa sot, falë përkushtimit të palodhur të imamit dhe vullnetit të sinqertë të besimtarëve, xhamia numëron mbi 400 anëtarë aktivë dhe ndodhet në procesin e blerjes së objektit të saj.
Imami theksoi se aktivitetet e xhamisë nuk kufizohen vetëm në çështje të ngushta fetare, por shtrihen edhe në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe në krijimin e kushteve që të rinjtë ta ndjejnë xhaminë si shtëpinë e tyre të dytë – një vendtakim për adhurim, edukim dhe aktivitete shoqërore.
H. Sedat ef. Shabani njihet për përkushtimin e tij të madh, ligjëratat e tij të thelluara në dije dhe për aftësinë e veçantë për të afruar xhematin, sidomos të rinjtë, drejt xhamisë. Veçanti e veprimtarisë së tij është edhe mësimdhënia e gjuhës shqipe: mbi 120 nxënës mësojnë gjuhën dhe kulturën amtare nën kujdesin e tij.
Një ndër meritat e mëdha të imamit edhe të kryesisë së xhamisë është edhe lidhja e ngushtë që kanë ndërtuar mes xhamisë dhe institucioneve shtetërore në Gjermani. Përmes punës së tyre, Islami dhe muslimanët në këtë qytet janë prezantuar si qytetarë të denjë, të dobishëm dhe kontribues të çmuar për shoqërinë, duke dëshmuar se feja, vlerat morale dhe integrimi shkojnë krah për krah kur udhëhiqen nga sinqeriteti dhe vizioni i drejtë.
Reisul Ulema e falënderoi imamin për vizitën dhe e përgëzoi për punën e madhe që ai dhe Xhemati i tij po bëjnë në mbajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare në Gjermani, dhe në edukimin e brezave të rinj.
Ai theksoi se shërbimi i imamit në diasporë është një prej misioneve më fisnike, sepse përveç ruajtjes së lidhjes me fenë dhe atdheun, ai u jep besimtarëve dritë, shpresë dhe udhëzim në kohë sfidash e tundimesh.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për angazhimin e tij shumëvjeçar në shërbim të bashkëvendësve tanë, Reisul Ulema i ndau H. Sedat ef. Shabanit një mirënjohje të veçantë, duke e cilësuar atë si shembull të një imami që e përfaqëson fenë dhe kombin me dinjitet, përkushtim dhe vizion.

