Ekspertja e çështjeve të Ballkanit dhe ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, para mijëra qytetarëve që po protestojnë për padrejtësitë e Gjykatës Speciale në Hagë, tha se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Duke komentuar gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës, theksoi se gjykata dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe profesionale.
Sipas saj, nëse drejtësia zbatohet në mënyrë simbolike apo selektive, ajo rrezikon të perceptohet si padrejtësi, raporton KosovaPress.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo nuk është një slogan, por një realitet i dhimbshëm me të cilin ju përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet, ajo duhet të ketë legjitimitet. Drejtësia mund të jetë subjektive dhe ashtu edhe objektive, por në të dy rastet duhet të zbatohet përmes institucioneve të ligjshme, të qëndrueshme dhe të pavarura. Gjykatat, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë simbolike apo selektive, ajo rrezikon të perceptohet si padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por duken si gjykime të inskenuara”, tha ajo.
Në fjalimin e saj, Tromp sqaroi pse u themelua Gjykata Speciale dhe pse protesta e tanishme është e drejtë. Ajo theksoi se, edhe pas pesë vjetësh që ish-krerët e UÇK-së janë dorëzuar vullnetarisht Gjykatës Speciale, ata ende janë në paraburgim dhe nuk shihet në horizont ndonjë vendim gjyqësor.
Ajo u tha qytetarëve se udhëheqësit e Kosovës e themeluan Gjykatën Speciale sepse besuan në drejtësi dhe në luftën e UÇK-së.
“Tani jemi pesë vjet më vonë, dhe ata janë ende në paraburgim, ndërsa nuk ka një vendim gjyqësor në horizont. Besimi i tyre në një drejtësi të shpejtë është thyer nga realiteti i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës disproporcionale të shpalljeve fajtor. Mos harroni: të njëjtit udhëheqës që tani po gjykohen në Dhomat e Specializuara, ata mbështetën krijimin e këtyre dhomave. Ata e bënë këtë duke ditur rrezikun që paraqiste për çdo luftëtar që u ngrit në mbrojtje të lirisë së Kosovës gjatë luftës. Pse? Sepse besonin në drejtësinë e kauzës së tyre. Besonin se lufta ishte e drejtë. Besonin se ishte një luftë e lejuar si e tillë nga Karta e Kombeve të Bashkuara. Ata luftuan dhe fituan. Ata shkuan në Hagë sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri. Besonin në sundimin e ligjit, në aftësinë e gjykatave ndërkombëtare për të dalluar mes agresorit dhe mbrojtësit. Besonin se ligjet që rregullojnë luftën janë për të mbrojtur luftëtarët e lirisë dhe jo për t’i ndëshkuar ata,” përfundoi ajo. /Kp