AKTUALE

Pjesëmarrja e Ali Ahmetit në protestën kundër Gjykatës Speciale vë në pah bagazhin e tij përtej kufijve! 

Ali Ahmeti sot u flet nga Prishtina gjithë shqiptarëve anëkënd botës në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kjo ngjarje përbën një zhvillim me domethënie të thellë politike dhe simbolike jo vetëm për kontekstin aktual në Kosovë, por edhe për dinamikat rajonale të shqiptarëve në trojet e tyre. Nuk duhet as ta mohojmë e as ta mjegullojmë realitetin e pastër sikurse kristali që bagazhi i Ali Ahmetit në këtë drejtim është i pakrahasueshëm me të gjithë liderët tjerë në vendin tonë por edhe në rajon.

Ali Ahmeti në Prishtinë si lideri i vetëm që ndërlidhet me qëllimin e protestës –

Ali Ahmeti, lideri historik i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe një prej figurave kyçe të rezistencës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Prania e tij në këtë protestë e cila synon të jehojë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj figurave të UÇK-së, është një zë i fuqishëm në diskursin politik mbi drejtësinë, luftën dhe trashëgiminë e saj.

Një gjë të vërtetë duhet ta pohojmë që, pavarësisht përpjekjeve për t’u paraqitur si alternativa e re dhe integruese, VLEN nuk ka akoma as peshën historike, as legjitimitetin moral që të përfaqësojë denjësisht kauza të tilla. Në këtë plan, pjesëmarrja e Ahmetit ekspozon boshllëkun identitar të VLEN-it përballë një figure që ende mbart kredibilitetin e luftës dhe të përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.

Simbolika është e fortë në një shesh ku flitet për padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, do të flasë një nga ata që jo vetëm ka luftuar, por që e ka shndërruar atë luftë në një platformë politike dhe institucionale në nivel shtetëror. Prania e Ahmetit aty nuk është vetëm një akt solidariteti është një rikujtim se kauzat madhore kërkojnë përfaqësues me peshë reale, jo retorikë të zbrazët.

Në sfondin e një klime gjithnjë e më të tensionuar mes Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, çdo gjest politik merr ngjyrime strategjike. Dhe në këtë rast, Ali Ahmeti duket se ka zgjedhur momentin e duhur për të ripozicionuar veten si faktor i pakalueshëm kombëtar.

Për VLEN-in, kjo ngjarje duhet të ndikojë në reflektim e jo të mbulohet me sharje e fyerje, e as të shihet me inat e zili, por me qetësi dhe urtësi. VLEN tani ka peshën dhe përgjegjësinë për të krijuar një lidhje më të fortë me ndjenjat më të thella të elektoratit shqiptar ndjenjën e drejtësisë, kujtimit të luftës dhe dinjitetit kombëtar.

Nëse kjo protestë është thirrur për të ngritur zërin kundër një padrejtësie, atëherë mesazhi është i qartë vetëm ata që kanë qenë aty, në terren dhe histori, mund ta bartin me dinjitet atë kauzë. Dhe në këtë aspekt, Ali Ahmeti nuk ka shumë rivalë.

Ky fjalim i Ahmetit që do ta dëgjojmë ne, ata, të gjithë, gjithandej, është më shumë sesa një dalje publike është një afirmim i rolit të tij si hallkë lidhëse mes të kaluarës së lavdishme të UÇK-së dhe betejave aktuale për drejtësi. Për ata që mendojnë se historia mund të zëvendësohet me kalkulim politik, ky është një rast që e dëshmon të kundërtën dhe që demanton qartë, thjeshtë dhe lehtë ato mendime. /Zhurnal.mk

Related posts

Mickoski citon deklaratën e Mexhitit për Lajm se Ahmeti komunikon me Grubin, të cilin e këshillon të kthehet nga arratia

Gjyla Halili

Gashi për vdekjen e Papa Françeskut: Humbje e madhe për mbarë njerëzimin

Gjyla Halili

Mexhiti nga Dibra: Kemi popullin në anën tonë, fitore do të ketë sepse drejtësi do të sjellim

Gjyla Halili